Liverpool feston triumfin, 750 000 tifozë përshendesin skuadrën

schedule11:30 - 3 Qershor, 2019

schedule 11:30 - 3 Qershor, 2019

Plot 750 000 tifozë të Liverpulit festuan në rrugët e qytetit fitoren e Championsit në Madrid. Skuadra udhëtoi në autobusin tradicional pa çati, në një festë që nuk ishte parë prej 14 vitesh

Gjithçka nisi që përpara ndeshjes, në Madrid. Mbi 50 000 tifozë të Liverpulit e bënë të shkëlqyer atmosferën në vigjilje të finales së Ligës së Kampionëve ndaj Totenhemit, dhe festimi i tyre, për fat, nuk do të prishej në përfundim.

Ndërsa, skuadra harbohej në dhomën e zhveshjes në stadiumin “Uanda Metropolitano”, qyteti priste kthimin e saj në shtëpi, për t’i dhënë mirëseardhjen e merituar. Ndodhi pikërisht si 14 vjet më parë, pas finales së paharruar të Stambollit fituar me penallti ndaj Milanit, duke u ndodhur në humbje 0-3.

Drama në Madrid nuk ishte e njëjta, por elektrizimi nga triumfi nuk ishte aspak më i vogël. Plot 750 000 tifozë u mblodhën në rrugët e qytetit bregdetas anglez, duke e kthyer parakalimin e të kuqve, në një ceremoni triumfale.

Ajri u mbush me tymin me ngjyrë të kuqe, lëshuar nga flakadanë dhe gjithçka tjetër tymuese, me letra të vogla gjithashtu të kuqe, ndërsa flamujt e banderolat ishin të shumta, sipas traditës liverpulase, thuajse unike në futbollin anglez.

Rrugët drejt qendrës së qytetit u bllokuan për shumë orë, ndërsa tabelat e qarkullimit dhe semaforët u kthyen në ulëse për tifozët më të zjarrtë. Tifozët mezi pritën një rast për të kremtuar, pasi kishin kaluar 7 vjet nga trofeu më i vonshëm, Kupa e Ligës, si dhe 14 vjet që nga Championsi i fundit.

Përkrahësit shpresojnë që trajneri Jurgen Klop do të dijë ta forcojë skuadrën për të fituar edhe titullin kampion sezonin e ardhshëm./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!