Katër shtetas shqiptarë janë arratisur nga qelia e izolimit, pasi kanë neutralizuar policët e shërbimit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës në komisariatin e Athinës që njihet si Petrou Ralli.
Ata të katër po mbaheshin në pritje të gjykimit për vjedhje, sipas informacioneve të para.
Njeri prej tyre u shtir sikur ishte sëmurë dhe ra për tokë. Kur një polic hyri në qeli që të shihte çfarë ka ndodhur, ata e neutralizuan nën kërcënimin e një sendi të mprehtë që nuk dihet se si ra në duart e tyre.
Pastaj zbritën si “zotërinj” në hyrje të godinës, ku u përballën me një police që ishte roje që gjithashtu e neutralizuan. Sipas një informacioni, ata u morën dy policëve armët dhe telefonat celularë dhe arritën të largoheshin nga komisariati.
Policia kaloi menjëherë në alarm dhe pas një ore u bë i mundur arrestimi i njërit prej tyre. Vazhdon operacioni për gjetjen dhe arrestimin edhe të tre të tjerëve./ABC News Albania 24/7