Pedagogu Klementin Mile ka komentuar situatën politike në vend, duke u ndalur te besimi i qytetarëve ndaj qeverisjes së Edi Ramës dhe te mandati i katërt i qeverisë.
Mile u shpreh se Rama ka dëshmuar se di të fitojë zgjedhjet, por sipas tij, zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah një problem me besimin e qytetarëve.
Sipas tij, besimi i humbur është i vështirë për t’u rikthyer. Për ta ilustruar argumentin e tij, pedagogu solli në vëmendje një shembull nga Perandoria Romake.
Mile e lidhi këtë shembull me qeverisjen e Ramës në mandatin e katërt, duke argumentuar se kryeministri po përpiqet të vendosë një “mur”, në një kohë kur, sipas tij, besimi te qeverisja ka filluar të bjerë.
“Rama ka treguar që i fiton zgjedhjet, por çfarë ka ekspozuar kjo situatë është besimi. Ajo që është konsumuar në katër mandate është besimi, që është jo i pakufishëm. Besimi është i vështirë për t’u rikthyer. Perandoria Romake ka pasur një perandor që tha: “Po bëj një mur, nuk po pushtoj të tjerat.” Edi Rama, në mandatin e katërt, po përpiqet të ngrejë murin, sepse besimi në qeverisjen e tij ka filluar të bjerë. Ky është pushtim në planin e modernizimit. Njerëzit nuk duan të ndërtojmë më shumë, por duan të dinë çfarë përfitojnë.”


