Kanë kaluar 25 vjet nga Masakra e Peshkëpisë, por autoritetet shqiptare anjëherë nuk kanë arritur të gjejnë dhe ndëshkojnë autorët e këtij krimi të rëndë të regjistruar më 10 prill 1994 në rrethin e Gjirokastrës, fare pranë kufirit me Greqinë.
Abc News ka siguruar raportin e plotë të policisë së Gjirokastrës të përpiluar menjëherë pas ngjarjes. Ky raport, i dërguar në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, përbën një përshkrimin më të hollësishëm të kësaj ngjarjeje krahasuar me versionet e njohura deri tani. Po kështu aty sqarohet se disa nga agresorët flisnin shqip. Kjo ngjarje u pasua edhe nga një tjetër e mbetur në tentativë.
Autoritetet greke kishin ndaluar më 18 mars të vitit 1995, 7 të dyshuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë. Ata sapo kishin dështuar në një tjetër sulm terrorist ndaj kufirit shqiptar. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj të ndaluarve, u gjetën edhe armët e municionet e rrëmbyera në Postën Kufitare të Peshkëpisë.
Të ndaluarit e komandës së ashtuquajtur “Pirro i Parë”, ishin:
Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar, Fredi Beleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo, 26 vjeç, Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjirokastrës.
Edhe pse armët e gjetura ishin ato të vjedhura në Peshkëpi, Gjykata në Athinë vendosi se këto nuk ishin prova të mjaftueshme dhe të gjithë u liruan.
Fredi Beleri i dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e Peshkëpisë, u shfaq në Himarë në vitin 2015, si kryetar i Omonia dhe njëkohësisht kandidoi për Kryetar Bashkie duke humbur përballë Gjergji Goros së PS. Beleri serish do të kandidonte në zgjedhjet e 30 qershorit, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka refuzuar kandidimin e tij si kandidat i pavarur për Bashkinë e Himarës. KQZ ka bërë me dije se gjatë verifikimit, ka konstatuar shkelje në formularin e dekriminalizimit, pasi Fredi Beleri është dënuar me 3 vjet heqje lirie në vitin 2016, për urrejtje nacionaliste dhe nuk ka kryer burg.
Por drejtësia shqiptare ndërkohë me sa duket ka siguruar prova që e lidhin Belerin me masakrën, duke e marrë në pyetje për të paktën 3 herë në një hark të shkurtër kohor. Më poshtë raporti i plotë i dërguar në Tiranë në datën 11 Prill të vitit 1994.
“Në 10.04.1994 ora 2.30 6-7 persona të paidentifikuar të veshur me uniformë ushtarake Greke (laramane), të maskuar me maska, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet grykës së Bogazit në tokën shqiptare në postën kufitare të Peshkëpisë. Aty në mënyrë të befasishme kanë goditur me armë automatike tip “shutgan” rojën e jashtme të postës ushtar Arsen Llazar Gjini vjeç 20, nga fshati Seman Fier, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Më pas kanë kapur rojën e derës së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojën e jashtme e kryenin shërbimin pa municion, e janë futur në ambientet e postës. Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën ku flinin oficerët e postës, Qemal Stroka e Siat Selfo, të cilët i kanë nxjerrë të lidhur. Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e Komandantit të postës Fatmir Sali Shehu vjeç 34, lindur në Qesarat të Tepelenës e banues në Gjirokastër duke e nxjerrë në korridor e aty e kanë goditur me automatik, duke i shkaktuar plagë në gjoks e krahun e majtë e për rrjedhojë gjeti vdekjen. Pas këtyre veprimeve kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me automatik në muret e tavanit të saj. Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me automatik dhe kanë goditur dhe plagosur edhe 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë rrezikut, duke ju thënë se po të lëvizni do ta pësoni si ai dhe këtë e bëjmë për “Vorio Epirin” të cilën nuk e kemi harruar. Kanë kërkuar të dinë se ku është depoja e armatimit por ushtarët nuk e kanë treguar atë. Gjatë kësaj kohe kanë kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë, 2 pistoleta në kasafortën e fjetinës duke i këputur drynat. Pasi kanë lidhur me pranga të markës “Taivan” oficerin Qemal Sulo Stroka e kanë marrë me vete duke u thënë ushtarëve që ky është i vdekur, prandaj ju mos lëvizni. Pasi e kanë marrë me vete janë larguar në drejtim të kufirit nga gryka e Bugazit. Afër kufirit rreth 200 m larg piramidës 24, e kanë lënë oficerin Qemal Stroka të lidhur me pranga duke i thënë që të kthehet në postë dhe për çdo minoritar do të paguani 10 nga ju dhe kanë ikur në tokën greke. Veprimet e para hetimore u bënë me grup hetuesish të policisë hetimore. Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën gëzhoja e automatikut “shutgan” me të cilat kishin qëlluar. Në rrugën e kthimit për në tokën greke u gjetën disa pajime ushtarake si, çanta shpine, dritë dore të prodhimit amerikan. Nga veprimet para hetimore u provua se disa persona të paidentifikuar nga ata, flisnin vetëm greqishte të pastër, njëri fliste shqipe të çalë me theks minoritar dhe tjetri shqipe të pastër me dialekt të jugut. Nga policia hetimore u ndaluan për shpërdorim detyre, për mos marrjen e masave për kryerjen e rregullt të shërbimit, e organizimin e punës për ndjekjen e mos kapjen e këtij grupi terrorist, n/ oficerët e postës kufitare të Peshkëpisë si më poshtë:
Qemal Sulo Stroka 30 vjeç banues në Peshkëpi, n/oficer në këtë postë, instruktor qeni me kombësi e shtetësi shqiptare,
Siat Felek Selfo vjeç 42, banues në Peshkëpi, n/oficer magazinier,
Oficer Arjan Reiz Guma vjeç 39, banues në Gjirokastër, komandant i qendrës së stërvitjes, për arsye se ka urdhëruar të kryhet shërbimi pa municion në postë.
Ndalimet i bën inspektori i policisë hetimore Ilirjan Delilaj dhe Denarl Alikaj. Materialet prokurorisë“./abcnews.al