Kukësi pas tre javësh kampionat ka vetëm një pikë dhe sot e pësoi në shtëpi nga Kastrioti. Trajneri Skënder Gega, në Oversport tha: “Me dy fjalë nuk mund ta bësh analizën e 90 minutave, në pjesën e parë ekipi i Kastriotit u mbrojt me shumë lojtarë, në pjesën e dytë luajtëm mirë. Mua më pëlqeu pjesa e dytë, pavarësisht se në dy raste, dy kundërsulme, të pavendosur e pavëmendshëm, u ndëshkuam.
Kurse pjesa tjetër ishte e mirë, qarkulluam topin, merrnim krahët. Por në fund fare u ndëshkuam, nuk është hera e parë. Ndjej keqardhje sepse djersitëm, por nuk është e mjaftueshme të djersitesh po që çdo gjë të jetë në vendin e duhur”.
“Kritika ka patjetër kur humbin ndeshjen. Nuk jemi të parët që humbim ndeshje, por kur humb një ndeshje me një rival që të paktën në letër quhet më i dobët… Unë isha përgatitur gjatë gjithë kohës dhe thosha që nuk është i lehtë, se nuk duhet t’i referohemi klubit apo historisë, por 90 minutëshit.
Unë e dija që nuk ishte ndeshje e lehtë, jam munduar që t’i motivoj gjatë gjithë javës që të jenë të vëmendshëm, por pjesa e dytë, ndryshe nga performanca e asaj që paraqitëm, solli dy gola që për mua ishin të evitueshëm. Por është edhe e pafalshme për një ekip që të shkërmoqet në atë lloj mënyre.
Është përgjegjësi e madhe, unë jam mësuar të marr përgjegjësitë se jam trajneri i tyre. Pavarësisht se nuk është e mirë të bësh analiza me kokë të nxehtë pa e parë ndeshjen disa herë, aty e sheh kush është ai që na ka ndëshkuar. Mënyra më e drejtë nga ana profesionale është që marrin përgjegjësi të gjithë. Por e merr trajneri dhe kjo është krejt normale për mua”, përfundoi Gega.