Partizani mori trofeun e Superligës, në festën e organizuar një javë para përfundimit, në “Selman Stërmasi”. Kampionët e rinj të Shqipërisë barazuan në fushën e tyre me Kukësin
Ëndrra u bë realitet pikërisht në këtë çast.
Flasim për momentin kur trofeu i titullit kampion iu dorëzua një klubi të madh si Partizani, pikërisht në pasditen vonë të së dielës së 26 majit në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Titulli i fituar pas plot 26 viteve, ishte i 16-ti në histori, dhe I pari që kur e fitoi në vitin 1993, në “Qemal Stafën” e dikurshme.
Ky ishte epilogu i lavdishëm dhe i lumtur i një sezoni të vështirë, por mbi të gjitha triumfues, ku Partizani e tregoi veten mbi rivalët.
Ndeshja e fundit në kryeqytet, ajo ndaj Kukësit, nuk iu desh për asgjë tjetër përveçse për tifozët.
Partizani luajti për publikun dhe për vetveten, në përballjen ndaj Kukësit, që përfundoi në barazim 1-1.
Suksesi ishte i siguruar që më parë, por futbolli në “Selman Stërmasi” ishte mjaft i mirë, në një duel shumë të fortë.
Kuksianët, që ende nuk e kanë siguruar vendin e dytë, u përpoqën të fitonin dhe kaluan të parët në epërsi me anë të Rezhinaldos, me të nisur pjesa e dytë, por nuk mundën të fitonin.
Skuadra kampione e trajnerit Skënder Gega arriti të reagonte dhe të barazonte me golshënuesin e kohëve të fundit, shkodranin Erald Çinari, pesë minuta para fundit.
Mbetet edhe një ndeshje në Gjirokastër, këtë mes javë, në një Superligë që klubet kanë qejf ta mbyllin shpejt, por të kuqtë nuk u kursyen për festën.
Për tifozët, për skuadrën dhe gjithë klubin, realizimi I ëndrrës për titullin kampion është padyshim kulmi i lumturisë dhe i lavdisë./ABC News Albania 24/7