“Oleg, lër gjithçka dhe kthehu”, shëtitja hapësinore e kozmonautit rus për pak sa nuk përfundoi në tragjedi

schedule22:40 - 17 Gusht, 2022

schedule 22:40 - 17 Gusht, 2022

Një nga dy kozmonautët rusë që po punonin në krahun e jashtëm të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor u detyrua të kthehej brenda ISS sot për shkak të një problemi me pajisjet e kostumit të tij.

Qendra e kontrollit të Moskës urdhëroi Oleg Artemiev të përfundonte më herët nga sa ishte planifikuar shëtitjen e tij në hapësirë.

Kozmonauti rus kishte qenë jashtë ISS për gati tre orë (misioni ishte planifikuar të zgjaste rreth gjashtë orë) kur treguesi i baterisë në kostumin e tij filloi të bjerë ndjeshëm, duke bërë që zyrtarët të urdhëronin kthimin e menjëhershëm të Artemiev brenda stacionit hapësinor.

“Oleg, lër gjithçka dhe kthehu menjëherë!” U tha nga qendra e kontrollit në Moskë.

Oleg Artemiev u kthye në brendësi të ISS, ndërsa kolegu i tij Denis Matveev përfundoi punën në krahun robotik të stacionit hapësinor.

Zëdhënësi i NASA-s Rob Navias siguroi se Oleg Artemiev “nuk ishte kurrë në rrezik serioz”. Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, një laborator sa një fushë futbolli, ka qenë shtëpia e ekuipazheve nga e gjithë bota për më shumë se dy dekada. /abcnews.al/