Në 5 qarqe të vendit janë raportuar zjarre gjatë ditës së sotme, ndërsa Ministria e Mbrojtjes njofton se po punohet për shuarjen e tyre.
Vatrat janë në Lezhë, Vlorë, Durrës, Fier e Shkodër. Ndërkohë, era e fortë ka rënduar situatën në fshatin Bizë Durrës ku është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pylli me pisha dhe shkurre, që ka vënë në rrezik edhe banesat.
Njoftimi:
Gjatë ditës së sotme janë raportuar zjarre në 5 qarqe të vendit, Lezhë, Vlorë, Durrës,Fier e Shkodër. Nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes civile po vijon puna për shuarjen e tyre me forca e mjete nga zjarrfikësit, efektivë të Forcave të Armatosura aty ku është kërkuar mbështetja e tyre si dhe forca të policisë, vullnetarë e punonjës të pushtetit vendor.
Ndërhyrja e shpejtë e efektivëve të FA, forcave zjarrfikëse dhe atyre të pushtetit vendor ka bërë të mundur shmangien e rrezikut për banesat duke vënë nën kontroll flakët në një vatër zjarri, në një sipërfaqe me bimësi të thatë dhe pisha në shpatin e malit në kthesën e Balldrenit, në Lezhë. Aktualisht po punohet në të gjitha drejtimet për izolimin e plotë të vatrës.
Sipas informacioneve të marra është bërë izolimi i njërës prej vatrave në një sipërfaqe pyjore me pisha, në fshatin Lgjin, në njësinë administrative Orosh, në Mirditë. Por, po vijon puna për izolimin e plotë të saj.
Ka një përmirësim të ndjeshëm situata në fshatin Qesarat, njësia administrative Livadhja, bashkia Finiq, ku zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre, kullotë dhe bimësi e ulët. Zjarri ka rënë në afërsi të malit të Qesaratit në një terren të thepisur dhe me formacion shkëmbor. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të Shërbimit Pyjor, vullnetarë, ndërsa në mbështetje të forcave që ndodhen në terren për shuarjen e zjarrit kanë shkuar edhe një grup prej 20 personash nga bashkia.
Paraditen e sotme është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pisha në vendin e quajtur “Makaresh”, sipër fabrikës së çimentos, zona e Krastës, bashkia Krujë. Po punohet në një terren të vështirë, që pamundëson ndërhyrjen me forca dhe mjete. Në mbështetje ka shkuar edhe një zjarrfikëse nga Tirana.
Era e fortë ka rënduar situatën në fshatin Bizë, njësia administrative Ishëm, në Durrës ku është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pylli me pisha dhe shkurre, që ka vënë në rrezik edhe banesat. Në vendngjarje po punohet nga 7 mjete zjarrfikëse me efektivët përkatëse nga MZSH Durrës, Shijak, Autoriteti Portual dhe bashkia Kamëz.
Puna po vijon për shuarjen e vatrave të tjera në fshatin Ishëm, ku u riaktivizua një vatër e fikur ditën e djeshme, në fshatin Kullë në Manzë, pranë kampit të Muxhahedinëve është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre, në lagjen Nr-18, në Durrës si dhe në qytetin e Krujës ku është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi.
Dy vatra zjarri janë aktivizuar në fshatin Plug në Golem të Lushnjes dhe në lagjen Matkë në qytetin e Rroskovecit. Për izolimin e të dyjave po punohet nga forcat zjarrfikëse.
Tre vatra zjarri janë raportuar në qarkun e Shkodrës gjatë ditës së sotme, një në fshatin Juban, në njësinë administrative Guri Zi, ku forcat zjarrfikëse po punojnë për të shmangur rrezikun nga banesat aty pranë. Ndërsa vijon puna për shuarjen e flakëve edhe në dy vatrat e tjera në fshatin Velipojë dhe fshatin Oblikë. /abcnews.al