Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ruse po forcojnë praninë e tyre nga Mariupol drejt zonave të tjera të Ukrainës jugore. Petro Andriushenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit të pushtuar, tha se “një kolonë e madhe prej deri në 100 njësi të pajisjeve ushtarake kaloi nëpër qytet në drejtim të rajonit të Zaporizhzhia” të shtunën, sipas CNN.
“Përveç kësaj, një numër i madh ushtarësh rusë, me kamionë KAMAZ, janë vendosur në fshatrat e rretheve Nikolske dhe Manhush” – dy rrethe në perëndim të Mariupolit.
Javën e kaluar, CNN tha se një kolonë e madhe ushtarake ruse po shkonte në perëndim pranë qytetit të Melitopol në rajonin e Zaporizhzhia. Disa analistë të pavarur besojnë se rusët po vendosin forcat drejt perëndimit për të mbështetur forcat e tjera që janë në mbrojtje në Kherson pas sulmeve ukrainase.
Të dielën, Ivan Fedorov, kryebashkiaku i Melitopolit, tha se një numër shpërthimesh janë raportuar në jug të qytetit (në Yakimivka – ku diversantët ukrainas hodhën në erë një urë hekurudhore në prill.)
Fedorov tha se forcat ruse po rrisin presionin mbi popullatën civile në Melitopol. Ai tha gjithashtu se rreth 500 njerëz u bllokuan në pikën e kontrollit të Rusisë në Vasylivka, pika e fundit e kalimit për civilët për të mbërritur në territorin e kontrolluar nga Ukraina.
Në Kherson, ku postet e komandës ruse dhe depot e municioneve janë sulmuar gjatë javëve të fundit, Komanda Operacionale e Ukrainës Jug tha se “njësitë e forcave pushtuese ruse kanë ndryshuar masivisht pikat e tyre të vendosjes, duke u përpjekur të fshihen pas popullatës civile”.
Ai pretendoi se forcat ruse kanë braktisur disa baza nga frika e sulmeve të mëtejshme dhe kanë zgjedhur “lokacione të reja në zona banimi me popullsi të dendur, duke shpresuar se forcat mbrojtëse të Ukrainës nuk do të kryejnë sulme që mund të jenë kërcënim për banorët vendas”.
/abcnews.al

