Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar në rrjetet sociale vdekjen e gazetarit Kastriot Myftaraj duke thënë se disa të vërteta në lidhje me vdekjen ai i mori me vete në varr, ndërkohë që hedh në qarkullim edhe idenë se ai është vrarë, ndërsa policia njoftoi për një vetëvrasje.
Nisur nga deklarata e Veliajt gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës sot, teksa tha se “askush nuk mund t’i verë gjoba dhe se ata që venë të mos presin asgjë, madje edhe të hidhen nga ballkoni”, të cilën Berisha e lexoi si mesazh ndaj Myftarajt, ish-kryeministri shkruan se kryebashkiaku në fjalë është gëzuar për këtë ngjarje.
Ndër të tjera, Berisha shkruan:
Rama e kishte paditur në gjykatë. Lal Eri shpreh gëzim për (vetë)vrasjen e gazetarit Kastriot Myftaraj.
Të dashur miq, Kastriot Myftaraj ishte një gazetar me prodhimtari të madhe i cili shkruante ato që mendonte për çdo njeri.
Edi Rama i kishte ngritur padi dhe e persekutonte pa mëshirë. Kastrioti u vra, apo vetëvra, disa ditë më parë. Në një akt amoral dhe cinizmi ekstrem tipik për njerëz shpirtkërmë, Erion Veliaj shpreh gëzim për vdekjen e Kastriotit. Por gëzimi i Erion Velisë dhe padia e Edi Ramës ndaj një njeriu, që thuhet se ka patur në të shkuarën probleme depresioni, ka ngjallur dyshime për shkakun e vertetë të vdekjes së tij, shkak të cilin i ndjeri Kastriot e merr me vete në varr.
Dënoj me ashpersinë më të madhe persekutimin e Kastriot Myftarajt për së gjalli dhe për së vdekuri, si një akt amoral çnjerëzor të dyshes Rama-Veliaj.
Çfarë tha Veliaj sot:
Ne te kjo çështja e gjobave (të portaleve sh.r) nuk pyesim. Bëj ç’të duash, hidhu edhe nga ballkoni po deshe, siç po ndodh me këta të lajmeve të rreme dhe shpifjeve. Te ne funksionon: Më pyet, të përgjigjem, por me gjoba jo. Ua them këtë që të dini se çfarë vjen, nga tani deri në zgjedhje do të keni vetëm gjoba. /abcnews.al