TIRANË– Nafta prek 97 dollarë, gazi në Europë në nivelin më të lartë në tre vjet. Rifillimi i përplasjeve mes SHBA-së dhe Iranit ka shtuar frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit e rrjedhimisht edhe për një valë të re inflacioniste.
Të dhënat e fundit të Eurostat treguan se inflacioni në Eurozone kërceu në 3.3% gjatë gushtit, ndërsa paralajmërimet e Bankës Europiane janë që efektet të materializohen edhe më tej në vjeshtë.
Eksperti i ekonomisë, Artur Ribaj, i ftuar në “Money Report” thotë se rritja e inflacionit në eurozonë do të ketë ndikim edhe në Shqipëri. Ai theksoi se ekonomia e vendit është e varur nga importet dhe kjo do të reflektojë dhe rritjen e çmimeve.
“Kemi një shtrenjti të çmimeve gjatë gushtit në eurozonë. Ekonomia jonë importon, sepse importon produkte në eurozonë dhe një rritje e cimeve në eurozonë përcillen këto rritje edhe në ekonominë shqiptare. Pasojat kanë nisur të ndihen”, tha ai.
Ai theksoi se rritja e çmimeve mund të çojë në rritjen e normës bazë të interesit dhe kjo do të shoqërohet me rritjen e kostove për të gjitha ata që kanë një kredi në monedhën euro.
Eksperti pohoi se në kushtet aktuale kur monedha vendase, leku, është në pozita të forta në krahasim me euron, nuk ka logjikë që Banka e Shqipërisë të aplikojë rritja e normës bazë të interesit.
“Banka Qendrore Evropiane e ka nisur rritje e normës bazë të interesit dhe pritet sërish të ketë rritje në shtator, kjo do të thotë rritje e kostos së borxhit për rata që kanë një kredi në euro. Në Shqipëri kemi kredi të dhëna ne euro dhe në lekë, dhe një rritje e normës bazë të interesit në euro, do të shtojë kostot për rata që kanë kredi në euro.
Nëse do vijojmë me rritjen e normës bazë të interesit, kjo do të rëndojë barrën e konsumatorit shqiptar. Sikur të mos kishim këtë forcim të lekut, në këto kushte, pasojat për konsumatorin do ishin më të forta.”, tha ai.

