Sot protesta e thirrur nga Berisha, Spiropali: Pi ujë Sali, përballë do kesh kryeprotestuesin më të madh

schedule11:58 - 7 Korrik, 2022

schedule 11:58 - 7 Korrik, 2022

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u ndal edhe te protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit.

Ajo tha se do donte që qytetarët të dilnin në shesh për problemet e tyre dhe jo për fantazmat e së shkuarës. Spiropali nuk kurseu as ironitë ndaj Berishës, duke e këshilluar të pijë ujë, pasi do ketë një pasdite të lodhshme.

“Sot para kryeministrisë ka një protestë. Mos të habiteni që e them se është gjë e mirë që qytetarët të dalin në Bulevard. Ua thotë një njeri që ka kaluar shumë kohë në Bulevard për të protestuar me liri për të drejtën e votës. Do doja të shihja ata që po i godet kriza dhe jo ata që janë bashkëaksioner. Do doja qytetarë që numërojnë lekët e fund vitit dhe jo ata që vijnë me Range Rover dhe përdoren për mish për topat e luftës për pushtet. Do doja të shihja qytetarët e të nesërmes dhe jo fantazmat e së shkuarës. Pi ujë Sali kudo të jesh. Është vapë dhe të pret një pasdite e lodhshme në shesh. Ty dhe flamujt e tu të lodhur. Po kërkon që të rikthesh vetëveten, por uji yt ka sosur. Ke thyer kaq shumë gota. Dëmto mjedisin tonë. Mos kujto se ata që ke rrotull s’e dinë se janë mercenarë në një luftë që s’ju përket. Për paradoks protestuesit më të ashpër të kësaj qeverisje të pakënaqurit më të mëdhenj do i keni përballë. Do i keni në katin e dytë të Kryeministrisë Sali, atje nga ku shihje gardën që qëndronte mbi protestuesit, por s’do të shohësh kryeministrin, por kryeprotestuesin”, tha Spriopali. /abcnews.al