“7 korriku protesta më e madhe”, Berisha: Rama do sjellë në Parlament ligjin për legalizimin e kanabisit, po kriminalizohet shoqëria

schedule19:02 - 30 Qershor, 2022

schedule 19:02 - 30 Qershor, 2022

Sali Berisha gjatë një takimi me forumin e gruas, u shpreh se politikat zyrtare të qeverisë janë ato të spastrimit etnik të vendit dhe kriminalizimit të shoqërisë.

Ish-kryeministri tha se Rama do të dërgojë në Kuvend pas disa ditësh ligjin për legalizimin e kanabisit, nismë kjo e sponsorizuar nga George Soros dhe që ka për qëllim mbjelljen e krimit kudo.

“Nëse ne vështrojmë politikat zyrtare që ndjek Edi Rama ato janë nga politikat e spastrimit etnik të Shqipërisë, gjer te politikat e kriminalizimit të shoqërisë shqiptare. Këto ditë vjen në Parlament ligji për legalizimin e drogave, një dokktrinë e propaganduar fort nga George Soros jo vetëm në media, por me nismë konkrete në OKB, një doktrinë që mbjell krim dhe vetëm krim.

Aspekti tjetër është, ju jeni dëshmitare se si proceset që dalin dëshmojnë se autorët kryesorë të krimeve janë në Parlament dhe qeveri, kurse ata që qëndrojnë në rrugë apo bodrume, janë ushtarët e tyre”, tha Berisha. 

Berisha u ndal edhe te protesta e thirrur më datë 7 korrik. Ish-kryeministri tha se protestat janë një domosdoshmëri për të rrëzuar regjimin monist të Edi Ramës. Berisha tregoi edhe arsyen përse zgjodhi datën 7 korrik dhe jo të priste më shumë për të dalë në shesh. Arsyeja, sipas tij, ishte që qytetarët të mos dëshpëroheshin më shumë nga keqqeverisja e Ramës. Për 7 korrikun, Berisha tha se do jetë protesta më e madhe që është organizuar ndonjëherë.

“Shpallëm datën 7 korrik si protestë kombëtare. E shpallëm këtë datë sepse konstatonim se pakënaqësia është shumë e madhe ndaj kësaj qeverie dhe në rast se do ta shtynim protestën për një kohë optimale, në fakt do thellohej dëshpërimi tek njerëzit. Nuk e kemi të fshehur, por të hapur. Qëndrimi ynë, platforma jonë krahas parlamentit dhe formave të tjera do jetë protesta, protesta dhe vetëm protesta.

Protestën e datës 7 korrik e kemi preludin dhe do bëjmë gjithçka për një protestë më të madhen që mund të kemi organizuar. E kemi preludin e sezonit të protestave kundër regjimit monist të Edi Ramës”, tha Berisha./Abcnews.al/