Pse duhet t’i përfshini bajamet në dietën tuaj? Përfitimet e jashtëzakonshme që merrni

schedule18:17 - 29 Qershor, 2022

schedule 18:17 - 29 Qershor, 2022

Tashmë dihet dhe pranohet nga të gjithë se përfshirja e bajameve në dietën tonë të përditshme është një zakon që të gjithë duhet ta përvetësojmë. Bajamet mund të jenë vërtet pjesë e një diete të ekuilibruar, nëse konsumohen në sasi të vogla. Njihuni me disa nga përfitimet që merrni.

Ulin kolesterolin e “keq”

Një studim në revistën shkencore ndërkombëtare “Journal of Nutrition” tregoi se konsumimi i rregullt i bajameve shoqërohet me ndryshime të favorshme në nivelet e HDL ose kolesterolit “të mirë”. Në veçanti, midis pjesëmarrësve që konsumuan bajame, pati një përmirësim të nivelit të kolesterolit HDL dhe aftësisë së tij për të hequr kolesterolin nga qarkullimi.

Forcojnë mbrojtjen e trupit

Bajamet janë një burim i mirë i vitaminës E, e cila vepron si një antioksidant i fuqishëm, duke forcuar mbrojtjen e trupit dhe duke mbrojtur qelizat nga stresi oksidativ, i cili shoqërohet me rrezikun e sëmundjeve të ndryshme kronike.

Mbrojnë shëndetin e zemrës

Një studim i kryer në Britaninë e Madhe tregoi se ngrënia e bajameve mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, duke përmirësuar shëndetin e enëve të gjakut. Konkretisht, pjesëmarrësit që konsumuan bajame çdo ditë për 1 muaj u zbulua se kishin një përqendrim të shtuar të antioksidantëve, kryesisht α-tokoferol, në gjak, nivele më të ulëta të presionit të gjakut dhe qarkullim më të mirë të gjakut, faktorë që lidhen me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës.

Lehtësojnë humbjen e peshës

Një studim i publikuar në Gazetën Evropiane të Ushqimit zbuloi se pjesëmarrësit që përfshinin bajame në dietën e tyre humbën më shumë peshë sesa ata që hanin karbohidrate komplekse. I njëjti studim zbuloi se pjesëmarrësit që hanin bajame çdo ditë nuk shtuan në peshë, pavarësisht se konsumonin kalori shtesë. Studiuesit arritën në përfundimin se ata nuk shtuan në peshë sepse ndjeheshin të ngopur dhe nuk hanin asgjë tjetër midis vakteve të tyre. /abcnews.al