Trajneri Antonio Conte ka hedhur poshtë zërat për një kalim te skuadra e Romës ndërkohë që nuk i mbyll derën Juventusit.
Një ndër trajnerët më në zë të momentit, Antonio Conte ka folur së fundmi për të ardhmen e tij. Conte theksoi se është i gatshëm për t’u rikthyer në Serie A, por refuzon kategorikisht drejtimin e skuadrës së Romës.
“Jam dashuruar me Romën për dy vite kur isha trajneri i kombëtares së Italisë. Ne stadiumin “Olimpiko” mund të përjetosh pasionin e tifozëve romak. Sot nuk janë kushtet për të pranuar të ulem në stolin e Romës, por nuk i mbyll dyert për të ardhmen. Kjo vlen për të gjitha skuadrat. Dua të jem i bindur se me klubin e ri që do të drejtoj do të kem mundësi të mund çdo rival dhe të ndjej se fitorja është e arritshme. Në të kundërt do të qëndroj pushim dhe nuk do të bëj hapa të nxituara nëse nuk jam i bindur”, tha ai.
Në lidhje me një rikthim te Juventus, Conte tha:
“Mendoj që skuadra e Juventusit vijon rrugëtimin drejt suksesit me trajnerin aktual Masimiliano Allegri, por në të ardhmen mund të ndodhë çdo gjë”.
Në Itali nuk është vetëm Roma dhe Juventus që interesohem për Conten, por edhe dy klubet milaneze, Inter dhe Milan./ABC News Albania 24/7