Nëntetarja 32-vjeçare Zarife Hasanaj ka humbur jetën dhe dy ushtarakë të tjerë të Forcave tona të Armatosura janë plagosur nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura gjatë një misioni të NATO-s në Letoni. Kontigjenti shqiptar shërbente prej dy vitesh atje në kuadër të mbrojtjes kolektive të aleancës.
Nëntetare Zarife Hasanaj humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura në bazën e NATO-s në Letoni. 32 -vjeçarja ishte pjesë e kontigjentit shqiptar, në kuadër të mbrojtjes kolektive të aleancës. 2 efektive të tjerë shqiptarë kanë mbetur të plagosur.
Kollçaku: “Një grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla TANUSHI dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj. Sipas informacioneve të deritanishme Major Tanushi dhe Rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni”.
Duke shprehur ngushëllimet familjes së nëntetares Hasanaj e uruar shërim të shpejtë dy ushtarakëve të plagosur, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka bërë të ditur se po ndiqet me vëmendje maksimale ngjarja përmes kontakteve të vazhdueshme me autoritetet më të larta letoneze dhe aleatët në këtë mision.
Vetëm pak javë më parë Ministria e Mbrojtjes kishte publikuar videon mbi misionin prej dy vitesh të kontingjentit shqiptar në Letoni, në kuadër të mbrojtjes kolektive të aleancës./ABC News Albania 24/7