Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë thotë se vendi do të kufizojë përdorimin e gazit natyror për prodhimin energjisë elektrike mes shqetësimeve për mungesat e mundshme të shkaktuara nga një ndërprerje e furnizimeve nga Rusia.
Masa vjen pasi Rusia reduktoi ndjeshëm rrjedhat e gazit natyror në tubacionet e saj në Evropën Perëndimore, duke rritur çmimin e energjisë.
“Për të reduktuar konsumin e gazit, duhet të përdoret më pak gaz për të prodhuar energji elektrike. Termocentralet me qymyr do të duhet të përdoren më shumë në vend të tyre”, tha Robert Habeck në një deklaratë të dielën.
Gjiganti shtetëror i gazit Gazprom tha se reduktimet e furnizimit nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream janë rezultat i punës së riparimit, pro zyrtarët e Bashkimit Evropian besojnë se Moska po ndëshkon aleatët e Ukrainës.
Përdorimi i përkohshëm i qymyrit në Berlin shënon një kthesë për koalicionin qeverisës të kancelarit Olaf Scholz të socialdemokratëve, të gjelbërve dhe FDP liberale, i cili është zotuar të pakësojë përdorimin e tij të qymyrit deri në vitin 2030.
“Është e hidhur, por e domosdoshme për reduktimin e konsumit të gazit,” tha Habeck.
Qeveria ka këmbëngulur se gazi rus do të nevojitet për një kohë derisa burimet alternative të energjisë, si gazi natyror i lëngshëm (LNG) i sjellë me anije, të jenë të disponueshme.
Gjatë muajve të fundit, qeveria gjermane ka marrë masa për të mbushur objektet e magazinimit të gazit deri në 90 për qind deri në nëntor, për të siguruar që gazi i mjaftueshëm të jetë i disponueshëm si lëndë djegëse për ngrohje gjatë dimrit evropian.
Habeck tha se objektet e magazinimit, aktualisht me kapacitet 56.7 përqind, ishin ende në gjendje të plotësonin mungesën nga Rusia me blerje nga gjetkë, por ai megjithatë e përshkroi situatën si “serioze” dhe tha se mund të nevojiten masa të mëtejshme.
Qeveria gjermane kohët e fundit u bëri thirrje qytetarëve që të shkurtojnë përdorimin e tyre të energjisë në mes të situatës së tensionuar të furnizimit./Abcnews.al/