Mosbindja civile, opozita bllokoi për dy orë 12 akse rrugore

schedule21:28 - 2 Maj, 2019

schedule 21:28 - 2 Maj, 2019

Për dy orë opozita mbajti të bllokuar 12 akse rrugore në mbarë vendin, si pjesë e aksionit të saj të mosbindjes civile. Lulzim Basha nga Elbasani përsëriti se nuk do ketë zgjedhje më 30 qershor ndërsa shtyrja e tyre i shërben dialogut mes palëve, pa Edi Ramën kryeministër. Shefi i opozitës i ftoi të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së 11 Majit para kryeministrisë.

Protesta e opozitës e organizuar njëkohësisht në 12 qarqe u mbyll pasi u bllokuan për dy orë akset kryesore rrugore. Kreu i opozitës Lulzim Basha ishte me protestuesit ne Elbasan dhe përsëriti se në 30 Qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën e vendit.

“Më datë 30 qershor nuk do të lejojmë krimin që dikton zgjedhjet. Zgjedhje pa opozitën e vendit nuk do të ketë”.

Basha, i ftoi në Tiranë qytetarët qe t’i bashkoheshin te shtunën e 11 Majit në protestën e radhës para Kryeministrisë. Sipas kreut të PD-së, opozita me qytetarët në protesta janë mazhoranca morale e vendit

Protestuesit në Tiranë bllokuan rreth rrotullimin e sheshit “Shqiponjës”, duke dëmtuar edhe disa skela të vendosur aty për zgjerimin e projektit të Unazës së Madhe.

Tensione pati ne qytetin e Fierit. Protestuesit tentuan te cajne kordonin e policise qe ishte vendosur ne uren e Mbrostarit. Kjo situate zgjati vetem pak minuta dhe protesta vijoi e qytete deri në përfundimin e saj.

Në Kukës, protestuesit bllokuan nyjen kryesore të Rrugës së Kombit, Urën e Drinit te zi. Me thirrjet “Rama ik”  qytetarët u vendosen mbi urë përreth 120 minua.  Pritjen e gjate për mbylljen e tubimit, ndërsa grupet e studenteve dhe nxënësit e shkollave nga Kosova e kaluan me këngë dhe valle.

Përreth dy orë u mbajt e bllokuar ura e Matit nga protestuesit demokrate të Dibrës. Forcat e policisë ishin në distancë dhe nuk pati përplasje. Protestuesit e liruan rrugën vetëm për disa makina dasme dhe një autoambulancë.

Edhe protesta e organizuar në Kryebushat të Shkodrës kaloi pa incidente.

Qindra persona nga Lezha, Mirdita e Kurbini u vendosen ne superstradën Lezhe-Laç për të protestuar. Ne dy ore bllokim nuk u shënuan incidente, por protestuesit i vunë flaken disa gomave .

Në Durrës nuk u lejua te kalonte asnjë automjet ne autostradën tek mbikalimi i Plepave. Protesta u zhvillua qetësisht dhe pa incidente.

Protesta në Gjirokastër kaloi me vetëm disa incidente te vogla. Aksi rrugor Tepelenë-Gjirokastër u tentua të hapej nga policia por u kundërshtua nga kreu  i PD në Gjirokastër Dasho Aliko.

Prej orës 18 protestuesit e bllokuan aksin rrugor ne hyrje te autostradës Vlorë-Levan. Qytetarët ndezën tymuese duke e shoqëruar me thirrjet “Rama ik”. Ndërsa policia devijoi qarkullimin në rrugën e vjetër nacionale Vlorë-Fier.

Me tepër se 120 forca policie ishin angazhuar për monitorimin e protestës në hyrje të qytetit të Korçës. Ne protestë morën pjesë simpatizantë anëtarë e përkrahës të PD, LSI  dhe fermerë të cilët dogjën edhe goma në rrugën pranë fshatit Çiflig./ABC News Albania 24/7