Ish kryeministri Sali Berisha deklaron se hapja e negociatave për Shqipërinë është një horizont që po largohet. Në një intervistë për TV Klan, Berisha tha se Samiti i Berlinit varrosi projektin e ndarjes së Kosovës.
“Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë prej kushteve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian. më datën 27 Qershor të vitit 2018.”
Është kjo përgjigjia që ka dhënë ish – Kryeministri Sali Berisha për deklaratat e Kryeministrit Rama se ai ka dizinformuar për zhvillimet në Samitin e Berlinit. Në një intervistë për televizionin Klan, Berisha thotë se negociatat janë gjithnjë e më larg.
“Vetëm ata që duan të gënjejnë veten, mund të presin të hapen negociatat”.
Numri i lartë i azilkërkuesve nga Shqipëria, rithekson Berisha, do të penalizojë edhe shqiptarët e Kosovës në procesin e liberalizmit të vizave. Dhe ky, sipas tij, është qëndrim i Francës.
“Është radio shtetërore gjermane, Deutsche Welle, e cila në kohën kur Rama ishte në Berlin, njoftoi shqiptarët se një nga shkaqet më kryesore të mos’heqjes së vizave për Kosovën, për Presidentin Macron është përvoja e keqe e Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë”.
Thotë se Samiti i Berlinit do të hyjë në histori pasi varrosi projektin e ndarjes së trojeve të Kosovës pas së cilit sheh si arkitektë Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi.
“Që të dy shkuan me projektin e Serbisë së Madhe, të copëtimit të trojeve të Kosovës dhe ndryshimit të kufijve. Berlini do hyjë në histori se varrosi këtë projekt, arkitektë të të cilit ishin Aleksandar Vuçiç, miladin shqipfolës në Prishtinë (Hashim Thaçi) dhe zografi bis në Tiranë (Edi Rama)”. /ABC News Albania 24/7