Ditën e sotme në Nyon të Zvicrës u hodh shorti i raundit të dytë të Conference League, aty ku Vllaznia mësoi edhe kundërshtarin e saj në këtë tur.
Shkodranët “peshkuan” rumunët e Universitatea Craiovës, kundërshtarë që para një viti eliminuan skuadrën e Laçit.
Pas hedhjes së shortit, presidenti i shkodranëve, Alban Xhaferi, u shpreh optimist për kalimin e turin, ndërsa është i vetëdijshëm në diferencën që dy klubet kanë në buxhet, por kjo nuk i step për të tentuar kalimin në raundin tjetër.
“Është një kundërshtar i vështirë, me buxhet 5 herë më të madh se ai i Vllaznisë, por në Shkodër do të jetë një atmosferë elektrizuese dhe besoj se do ta kalojmë këtë tur. Për më tepër, kemi një trajner me eksperiencë në Kupat e Europës dhe do të bëjmë të gjithë përgatitjet e duhura për të kaluar këtë tur”, u shpreh numri një i klubit shkodran.
Edhe trajneri Mirel Josa është shprehur optimist se skuadra e tij do ia dalë të kalojë në turin tjetër, pavarësisht vështirësisë që paraqet kundërshtari.
“Unë kam ndjekur paraprakisht edhe kundërshtarët e mundshëm dhe mund të them se ky nuk ishte shorti më i mirë për Vlllazninë. Bëhet fjalë për një skuadër të fortë, megjithatë ne do të punojmë për t’u përgatitur sa më mirë dhe për të provuar kalimin e turit.
Unë në Europë kam eksperienca të mira, por edhe të jo fort pozitive, ndaj nuk mendoj se kjo ka ndikim, ndaj na mbetet të shohim përpara. Kushtet na janë plotësuar të gjitha dhe sot po nisim përgatitjet në Shkodër, teksa në ditët e ardhshme do të zhvendosemi në një tjetër vend për të vijuar fazën përgatitore. Kemi dy opsione, por do ta vendosim me presidentin, menjëherë sapo të kthehet nga Zvicra.
Sa i përket merkatos, kemi rinovuar me ata që ishin “bërthama” e sezonit të kaluar dhe kemi firmosur me Boshnjakun. Janë kthyer në Shkodër edhe futbollistët që kanë qenë në huazim në skuadra të tjera dhe paralelisht po punojmë për të përforcuar edhe më shumë ekipin.
Në ditët në vijim do të ketë zhvillime të tjera edhe sa i përket merkatos, megjithatë ne jemi të përqendruar të punojmë dhe të përgatitemi sa më mirë për eliminatoret, por edhe për sezonin në vijim”, u shpreh Josa për SuperSport.
Vllaznia do ta luajë ndeshjen e parë ndaj rumunëve më 21 korrik, në “Loro Boriçi”, ndërsa sfida e kthimit është planifikuar një javë më vonë në Craiovë të Rumanisë. /f.a/abcnews.al