Opozita e bashkuar pritet të zhvillojë protestën e radhës pasditen e sotme, ku pritet të bllokojë disa rrugë në 12 qarqet e vendit. Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, në orën 18.00, ndryshe nga e enjtja e kaluar, bllokimi do te shtrihet në të gjitha qarqet.
Në qarkun e Kukësit, protesta do të përqendrohet në Urën e Drinit, në hyrje të Rrugës së Kombit, në qarkun Shkodër do të bllokohet rruga Shkodër-Koplik, ndërsa në Lezhë, është parashikuar të bllokohet mbikalimi i Milotit.
Sa i përket qarkut të Dibrës, protestuesit të mbështetur nga Partia Demokratike pritet të bllokojnë urën në kryqezimin Burrel – Rrëshen- Klos, ndërsa në qarkun e Durrësit, rrugën e Plepave në hyrje të Autostrades.
Edhe kësaj here në Tiranë është parashikuar të bllokohet Sheshi Shqiponja, ndërsa në Elbasan mbikalimi i Bradasheshit. Po sipas njoftimit të Partisë Demokratike, do të bllokohet rruga nacionale e Korçës, ndërsa në qarkun e Gjirokastrës, kryqëzimi i Rrugës Përmet-Tepelenë – Gjirokastër .
Harta e bllokimeve vijon me rrugën nacionale tek Ura Mbrostar në Fier, aksi Berat – Ura Vajgurore në Berat si dhe në Vlorë, hyrja e superstradës Vlore- Levan. Partia Demokratike u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’u bashkohen protestave me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore për zgjedhje të parakohshme./abcnews.al