Vendosi të hapë dyert e mbledhjes së grupit parlamentar për t’i dërguar një mesazh të përbashkët jo vetëm Tiranës, por edhe Prishtinës për çka thanë e nuk thanë mbi samitin e zhvilluar në Berlin.
“Nuk kisha parë kurrë dezinformim më të madh politik, mediatik se sa tërësia e marrëzive dhe ligësive e pasqyruar në Tiranë e Prishtinë. Samiti s’kishte asnjë lidhje me integrimin e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut Në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama sqaron se nuk shkoi në Berlin që të njihej me vendimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave ndonëse pranon që një problem siç e quan ai ka shtyrë vendimin e Bundestagut për Shqipërinë.
“I vetmi problem i miqve gjermanë është se koha fizike për procedurën e diskutimit të Bundestagut nga data e daljes së rekomandimit të Komisionit në ditën e vendimmarrjes në qershor është tejet e shkurtër. Prandaj është folur për Shtatorin, nga pala gjermane, por kurrsesi për mosçelje negociatash”, tha ai.
Sa për Francën, Kryeministri zgjodhi të nënvizojë faktin se duhet pritur përfundimi i zgjedhjeve evropiane në Maj, në periudhën kur qëndrimi i Francës do formohet në bazë të rekomandime të Komisionit.
“Do ishim në pozitë të vështirë sot nëse komisioni nuk do rekomandonte hapjen e negociatave”, tha Rama.
Ndërkohë që kryeministri shtrëngonte duart me kancelaren gjermane dhe presidentin francez, në Shqipëri presidenti u dakordësua me partitë aleate të Partisë Demokratike për të thirrur një tryezë dialogu mes mazhorancës dhe opozitës. Ky nuk është një realitet tjetër politik për shefin e qeverisë nga ai që la kur u nis për në Berlin. Këtë e pasqyroi në përsëritjen e thirrjes për zgjedhje në 30 Qershor.
“Me gjithë broçkullat që u thanë për Samitin apo që mua do më tërhiqet veshi që të shtyja zgjedhjet, u them se nuk më zuri veshi asnjë kërkesë të kësaj natyre. Zero fjalë për të shtyrë zgjedhjet.”
Jashtë kamerave kryeministri Rama i kërkoi drejtuesve politikë në qarqe që të gjejnë kandidatët më të mirë si kryebashkiakë e si këshilltarë bashkiakë. Puna të vijoi sikur opozita do të garojë përballë tyre, i ka porositur ai.
Kohën më të madhe në fjalimin e tij rreth 45 minutësh në media ia dha ndryshimeve në Kodin Penal. Burgu nuk pret vetëm ata që do të prishin zgjedhjet, por edhe ata që bllokojnë rrugët.
“Nuk mund ta pranojmë si normalitet sportiv bllokimin e lëvizjes së qytetarëve dhe organizimin e saj në mënyrë sistematike”.
Paketa e re e ndryshimeve parashikon ashpërsim të dënimit për krimet mjedisore, ndaj atyre që dhunojnë bluzat e bardha, por edhe neglizhencës së mjekëve në trajtimin mjekësor, për të drejtën e autorit që shkelet vazhdimisht, të drejtat e kafshëve për mbrojtjen nga shfrytëzimi e dhunimi, për ndëshkimin e të gjithë atyre që shkelin vijat e bardha të fushës së blertë të futbollit e ajo që i duket se duhet të rishikohet është rritja e dënimit me burg për ata që cënojnë sigurinë ushqimore.
“Pastaj sasinë e dënimit unë personalisht nuk jam dakord se më duket shumë e vogël ta diskutojnë këtë komisionet dhe grupet e interesit”, tha Rama.
Në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u vendos që Asambleja Kombëtare të zhvillohet në 10 Maj ndërsa prezantimi i 61 kandidatëve për kryebashkiakë në datën 13 Maj./ABC News Albania 24/7