Ragip Hajdini thyen heshtjen: Nuk jam “daja” i grabitjes

schedule15:25 - 30 Prill, 2019

schedule 15:25 - 30 Prill, 2019

I arrestuari i gjashtë për grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit ka thyer heshtjen para gjyqtarit Bibë Ndreca. Ragip Hajdini ka deklaruar se nuk është “daja” që kërkon polica dhe pse thirret me të njëjtën nofke dhe kërkoi që të ballafaqohej me Alkond Bengasin.

‘Daja’ nga Kosova ka dalë këtë të martë para Gjykatës për Krime të Rënda në seancën për caktimin e masës së sigurisë. Ragip Hajdini ka vendosur që të thyej heshtjen dhe të flasë para gjyqtarit Bibë Ndreca. Në deklarimet e tij 50 vjeçari nga Kosova është shprehur :

“Nuk jam unë ‘daja’ që kërkoni dhe pse kam një nofkë të tillë. Kam dëgjuar në media që flitej për një ‘daja’, por po të kisha lidhje nuk rrija këtu. Kam pamjet filmike që nuk isha aty në ditën e grabitjes. Kam qenë duke drekuar me miq të mi, në një zonë që quhet Tulla e kuqe në Kavajë. Do ju vë në dispozicion foto dhe pamje filmike që unë nuk kam qenë atë ditë në Rinas. Dua të më ballafaqoni më Alkond Bengasin  që më ka identifikuar, dua ta pyes nëse jam unë ‘daja’  për të cilin ai ka folur”

Pavarësisht deklarimeve të dhëna para gjykatës nga Ragip Hajdini gjyqtari Bibë Ndreca ka vendosur që ta lërë në burg pa afat të arrestuarin e gjashtë për grabitjen e disa miliona eurove në aeroportin e Rinasin pasditen e 9 prillit.

50 vjeçari Hajdini, për grupin hetimor konsiderohet si një nga ideatorët e grabitjes dhe dyshohet se është një nga peronat që mund të tregojë se ku janë paratë e grabitura.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka një kartë shumë të fortë në këtë proces dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Alkond Bengadsi, i cili u identifikua nga gjurma e gishtit në pasqyrën e fugonit me mbishkrimin “Hetim Tatimor”.

Deri më tani janë 6 të arrestuar për grabitjen, një i vrarë Admir Murataj dhe 3 të shpallur në kërkim, vëllezërit Eldi dhe Klement Çala dhe Talo Çela./ABC News Albania 24/7