Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për herë të parë për përplasjen mes anëtarëve të Rithemelimit, Belind Këlliçit dhe Evi Kokalarit, duke theksuar se nuk është në favor të asnjë lobimi.
Pyetja e gazetarit Juxhin Mistafaraj: Kokalari ka njoftuar se ka lobuar negativisht për Këlliçin, a keni ndjerë keqardhje?
Berisha: E kam thënë dhe para jush nuk jam në favor të asnjë lobimi as negativ dhe as pozitiv. Por siç e thatë ju vetë unë duhet të jem realist. Sot në kohën e smartfonit varet nga secili. Këlliçi është një bashkëpunëtor shumë i çmuar dhe ka dhënë kontribut të veçantë në të gjithë ecurinë e PD në përpjekje për rithemelimin. Nuk jam për asnjë lloj lobimi. Sqaroj se Evi Kokalari ka kontribut të çmuar por ajo vendosi vetë të mos kandidojë dhe të tërhiqet në jetën e saj dhe të ndjekë karrierën e saj në partinë republikane me sa di unë.
Gjatë konferencës për shtyp Berisha ka sqaruar sërish deklaratat e tij ku foli për hapje të partisë dhe krijimin e një fronti të ri opozitar. Berisha tha se do të krijohen Bordet Kombëtare me shqiptarë dhe të huaj që duan të bashkëpunojnë dhe të japin kontributin për fusha të caktuara.
“Hapja nënkupton afrimin me PD-në, të vlerave, individëve, të ekselencës, njerëzve me ideale që duan ti afrohen kësaj partie. Një grup pedagogësh, mjekësh, avoketërisht, shpallën anëtarësinë e tyre në PD. Tani do ngrihen Bordet Kombëtare sipas fushave në të cilat ne do të përpiqemi të tërheqim njerëz të ditur të atyre fushave shqiptarë brenda dhe jashtë vendit”, tha Berisha.
/abcnews.al


