Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim dypalësh me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë Angela Merkel.
Në një njoftim të kryeministrisë thuhet se në takim u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas njoftimit, Kryeministri Rama ka folur edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit maj. Kryeministri Rama ka falenderuar Kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.
ABC News