Raporti për Begajn te “Ligjet”, Bylykbashi kundër: Asnjë ushtarak s’mund të marrë detyra drejtuese mbi civilët

schedule16:25 - 4 Qershor, 2022

schedule 16:25 - 4 Qershor, 2022

Në linjë me qëndrimin e mbajtur me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha më herët gjatë ditës, Oerd Bylykbashi ka deklaruar në “Komisionin e Ligjeve” se opozita do të votojë kundër kandidaturës së Bajram Begajt për President.

Bylykbashi kujtoi se një ushtarak aktiv nuk mund të zgjidhet në krye të shtetit pasi kjo do të ishte shkelje e Kushtetutës.

“Dosja nuk është prezentë për deputetët në tryezë. Na mungon një CV  e detajuar për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë e kandidatit për President. Duam të shohim ekzakt se për çfarë po votojmë. Për hir të solemnitetit që ka kjo seancë, duhej dokumentacioni i plotë këtu. Do të na shërbente për të parë fakte të tjera. Ka qenë pjesë e Ministrisë së Brendshme në një periudhë të caktuar. Nëse është e vërtetë. A mund ta kemi dekretin e Presidentit këtu përpara? Presidenti i Republikës duhet që të jetë i lirë nga çdo lloj papajtueshmërie me Kushtetutën.  Gjeneral Major Bajram Begaj, s’kam asgjë në planin personal që ta vlerësoj. Jo çdo 40-vjeçar e sipër bëhet President Republike. Në 1991 kur bënë ndryshimet e para Kushtetuese, kemi bërë një ndarje të qartë mes funksioneve civile e ushtarake. Kontrolli civil mbi ushtrinë është parim themelor. Asnjë ushtarak nuk mund të marrë detyra drejtuese mbi administratën shtetërore. Ndarje, por edhe kontroll i civilëve mbi ushtrinë. Jo më kot parlamenti ka 7 ditë afat, që të shohim në detaje elemente dhe të saktësohen mungesa e probleme, apo kandidatura të rrëzohet,” tha Bylykbashi ndër të tjera.

Kryetarja e Komisionit, Klotida Bushka kujtoi që Begaj, nuk mund të cilësohet ushtarak aktiv pasi e ka dhënë dorëheqjen e cila është dekretuar edhe nga Presidenti aktual Ilir Meta. Më herët gjatë ditës së sotme Berisha i bëri thirrje Metës që të mbronte Kushtetutën dhe të mos dekretonte dorëheqjen e Begajt, por kreu i shtetit i hapi rrugën procesit që nga Stambolli ku ndodhet aktualisht. Ai bëri të ditur se pasi kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, do të ishte në një linjë me votimin që do të bëhet në Kuvend. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!