Nga lulishte në kantier ndërtimi, Prokuroria sekuestron mbi 10 mijë m2 tokë, në kërkim 2 biznesmenë dhe ish-kreu i Kadastrës Sarandë

schedule15:01 - 2 Qershor, 2022

schedule 15:01 - 2 Qershor, 2022

SARANDË – Dy biznesmenë Behar dhe Bedri Muçobega si dhe ish drejtues i ASHK Sarandë Ardian Kola, janë shpallur në kërkim nga policia për shkak se akuzohen për tjetërsimin e mbi 10 mijë metër katror tokë publike në private duke e dhënë tek disa persona për ndërtim.

Behar Muçobega akuzohet për falsifikim dokumentash dhe Bedri Mucobega akuzohet për pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Ndërkohë  Ardian Kola, ish drejtues i ASHK Sarandë për periudhën maj 2019-korrik 2020

Pas hetimeve për tjetërsimin e pronës shtetërore, Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar sipërfaqen e tokës prej 10 230 m2, në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare. Nën hetim janë 10 persona, të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” dhe pastrimi i parave. Ata janë nëpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.

Policia u ka vënë prangat ditën e djeshme drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Pandi Zhonga, së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj si dhe Aleko Anagnostin, noter. Burime për ABC bëjnë të ditur se në pranga kanë rënë edhe personat që kanë përfituar nga ky tjetërsim pronash. Bëhet fjalë për Fredi Mërkurin, Valter Llomin dhe Argonida Canaj. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh, me të cilat kanë përfituar edhe tokën. Mësohet se toka për të cilën bëhet fjalë ndodhet në zonën e kanalit të Cukës në Ksamil.

Njoftimi: 
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.

Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.

/abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!