Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi konfirmoi në një intervistë për Abc Neës se ka një tjetër dosje që do ta bëjë publike së shpejti që denoncon një tjetër aferë korruptive të qeverisë që ka të bëjë edhe me shitblerjen e votës.
Një tjetër denoncim po përgatit Partia Demokratike që sipas saj janë përfshirë në aktivitet kriminal anëtarët e qeverisë.
“Konfirmoj që po, kemi informacione të cilat i kemi në përpunim dhe verifikim të mëtejshëm, dhe sapo të jenë të të gatshme për tu ndarë me opinionin publik sigurisht që do të bëjmë denoncimin përkatës”.
Në studion e ABC News përballë gazetares Mirela Milori sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike paralajmëron se denoncimi i radhës mund të jetë më i rëndësishmi ndër ata që ka bërë deri më tani. Në thelb është shitblerja e votës ku janë përfshirë ministra dhe ish ministra.
“Ministra, ish-ministra. Pra ministra në detyrë dhe ish-ministra e gjithë veprimtaria e kësaj qeverie. Kjo qeveri sillet si bandë. Në çdo veprim që kryen sillet si bandë. Mungesë respekti ndaj ligjit dhe shërbim ndaj grupeve kriminale dhe një grushti të caktuar njerëzish. Edi Rama është njeriu që zgjohet në mëngjes, hap hartën e Shqipërisë dhe vendos se çfarë do të bëjë me Shqipërinë dhe cilën copë do ti japë kujt krimineli apo oligarku”.
Partia Demokratike është ende në procesin verifikues dhe dokumentues të këtyre informacioneve dhe sapo të jetë gati do të bëhet publik njofton Gazment Bardhi sipas të cilit dosjet denoncuese nuk janë të pakta.
“Prokuroria ka dosjet e veta, ashtu siç partnerët ndërkombëtarë dhe shërbimet partnere kanë informacione e tyre. Prokuroria, besoj unë, ka të dokumentuara mal me material që provojnë. Nëse prokuroria do të ishte në krye të detyrës, sot gjysma e qeverisë apo ish-ministrave të kësaj qeverie, do të ishin në burg, përfshirë edhe Edi Ramën”./abcnews.al