TIRANË– Nga Pogradeci mbledhja e socialistëve zhvendoset këtë të premte, në kryeqytet, në Pallatin e Brigadave. Në orët e pasdites, kryesocialisti vijon diskutimet me drejtuesit politikë të qarqeve dhe kabinetin qeveritar, ku pritet të konkretizohen edhe më tej idetë e diskutimet, e fundjavës së shkuar në qytetin liqenor.
Këtu përfshihen diskutime mbi “Besën” dhe “Praninë Besnike”, por edhe për platformën digjitale “Pasqyrë Albania”, të gjitha mjetet të ideuar nga socialistët, për të qenë më afër qytetarëve dhe shqetësimeve e problemeve, që kërkojnë zgjidhje nga administrata shtetërore.
Mbledhja nis në orën 17:30. Drejtuesit politikë dhe ministrat pritet të marrin nga kryesocialisti udhëzime mbi takime më aktive të tyre në zonat elektorale, për të shpjeguar dokumentet strategjike dhe si ato do u shërbejnë qytetarëve.
Referuar takimeve të mëparshme secili prej drejtuesve politikë dhe ministrave kanë dhënë idenë se si duhet të shkoj tek qytetari “Besa”, duke propozuar dhe ngritjen e një njësie specifike në çdo ministri apo dhe më gjerë.
Zgjedhjet elektorale të pranverës së ardhshme, që pritet të mbahen mes datave 15 prill-15 maj, kanë qenë tjetër diskutim, ndërsa gjithmonë socialistët i ndezin motorët shumë kohë para nisjes zyrtare të fushatës.
Këto ditë ka patur disa iniciativa që prekin direkt qytetarët, siç është ajo për “Price Watch Albania” për monitorimin dhe kontrollin e çmimeve, që synon shmangien e abuzimit me çmimet e ushqimeve.
Kjo është një iniciativë që do të konkretizohet në vijim dhe do të prezantohet e plotë në vijim nga qeveria, ashtu sikundër dhe platforma “Pasqyra Albania” që është ideuar e tillë, për të afruar qytetarin me administratën shtetërore.
Kjo platformë do të jetë një mjet në duar të qytetarëve, ku ata do të shprehin në formë digjitale problemin e tyre dhe më pas do ta gjurmojnë, deri sa të shkojë tek administrata përkatëse, për ta zgjidhur.
Kjo mbledhje e kësaj të premteje ndërkohë është një takim përgatitor për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, në ditët e para të shtatorit, aty ku kryesocialisti Edi Rama shpesh ka komunikuar vendime të rëndësishme. /abcnews.al

