Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ditën e sotme u zhvillua një konferencë për shtyp ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle.
Në fokus në konferencës ishte zbatimi i detyrimeve që parashikon marrëveshja e ekstradimit, në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Spanjës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle, po ashtu dhe angazhimin e Policisë shqiptare, për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga Spanja.
Nano: Bashkëpunimi ndërmjet policive dhe agjencive ligjzbatuese po vijon të thellohet dhe po shkon në drejtimin e duhur, ku gjithsecili dëshiron t’i shohë mbrojtësit e ligjit dhe të sigurisë së jetës dhe pronës së tyre. Në politikat e saj prioritare, Shqipëria është e angazhuar me krejt kapacitetet e saj njerëzore, logjistike dhe ligjore dhe po punon për rritjen e parametrave të sigurisë në vend, një kontribut i cili zë vend dhe reflektohet edhe në sigurinë e vendeve te BE-së e më gjerë.
Marrëveshja e ekstradimit mes Shqipërisë dhe Spanjës hyri në fuqi më 16 mars të vitit 2022. Nano bëri me dije se që nga marsi deri tani janë arrestuar 7 shtetas shqiptarë me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.
Nano: Janë arrestuar 7 shtetas shqiptarë, për veprat penale: “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Organizata kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shkelja e ligjit për drogat”. Këta shtetas vijojnë të jenë në procedura gjyqësore, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës.
Mes Shqipërisë dhe Spanjës janë finalizuar disa operacione të suksesshme policore si “DOBRA”, “NOMADA” dhe “SHPIRTI”, të cilët u realizuan gjatë vitit 2021. Po ashtu të suksesshme ishin dhe operacionet e zhvilluara më parë si: operacioni “VAZHDIMI” dhe Mega Operacioni “ONE IF-BY LAND”.
Nano u shpreh se këto operacione dhe hetime kanë qenë të fokusuara kundër grupeve kriminale të prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve, pastrimit të parave, vjedhjeve të banesave etj.
Nano: Bashkëpunimi me partnerët, nënshkrimi dhe zbatimi i detyrimeve të ndërsjella që parashikojnë marrëveshje të tilla, ndikojnë në parandalimin e krimit dhe përbëjnë një akt të domosdoshëm për të rritur terrenin e veprimit, duke bërë që Shqipëria të mos kthehet kurrsesi në oaz të lakmuar për shtetasit që janë në konflikt me ligjin dhe parimet e një shoqërie të lirë. Gjithashtu , këto marrëveshje ekstradimi bëjnë të mundur dhe janë një faktor ndihmues në vënien në vend të drejtësisë, pavarësisht vendit se ku janë të përqendruara fenomenet që duhen goditur e neutralizuar nëpërmjet operacioneve policore.
Drejtuesi i Policisë së Shteti shtoi se këto operacione do të pasojnë dhe do të kenë si objektiv kapjen e çdo shtetasi të kërkuar nga drejtësia spanjolle dhe nga ato vende me të cilat Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi./abcnews.al/