Një proces antikushtetues, qesharak e tallës.” Kështu e ka cilësuar i mandatuari nga “Rithemelimi” për negociata me aleatët për çështjen e Presidentit, Luçiano Boçi mbledhjen e katër Grupeve Parlamentare në Kryesinë e Kuvendit.
Boçi theksoi se detyra e Konferencës së Kryetarëve përfundon me vendosjen e datave për raundet dhe më pas diskutimi bëhet në nivel politik dhe jo parlamentar.
“Niveli i diskutimit kaq qesharak e tallës. Çdo negociatë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Vendimi i sotëm antikushtues. Askush s’ia heq dot të drejtën opozitës të propozojë kandidatë në të pestë raundet.
Ironia është që është opozita, e cila nuk ka votat për një numërim të thjeshtë. Ndërsa, mazhoranca që i ka këto vota e ruan e propozimin e saj në raundin e katërt dhe të pestë kur votimi është me shumicë të thjeshtë. Negociatat duhet të vazhdojnë në nivel politik. Konferenca e Kryetarëve e kryen detyrën me vendosjen e datave të raundeve. Më pas negociatat janë tërësisht politike. Alibeaj me bashkëshoqëruesit e tij nuk ka asnjë lloj mandati të dhënë nga partia, apo grupi Parlamentar.”
Edhe një herë ai theksoi se Enkelejd Alibeaj nuk ka asnjë tagër për të përfaqësuar Partine Demokratike në atë mbledhje dhe se ai nuk përfaqëson opozitën. Rithemelimi i akuzoi personat e pranishëm në mbledhjen e mbajtur në Kryesinë e Kuvendit se ishin aty për t’i dhënë Ramës atë që do.
“Na duhet një president i mirë, por emri i mirë duhet të shkojë me një proces kushtetues të mirë. Alibeaj nuk ka tagër, s’ka të drejtë të jetë përfaqësues i opozitës. Ai mund të jetë deputet i thjeshtë, dhe nuk është më as kreu i Grupit Parlamentar. Negociatat për Presidentin janë politike. Ndoshta Alibeaj mund të mbrohet nga pozicioni i kryetarit të komanduar, por këtë pozicion nuk ia njeh as Rama. Zgjedhja që bën Rama, njëlloj si Reali të zgjidhte për kundërshtar në finale, jo Liverpulin, po të thotë që finalet dua ta bëj me Turbinën e Cërrikët. Rama zgjedh me kë do të bëjë finalen. Gjen nja dy kokrra te PD, u vesh mantel zyrtar dhe i tall akoma më shumë, u thotë mund të sillni edhe në dy raunde propozime dhe unë kam të drejtë t’i rrëzoj.”
Kujtojmë se në takimin e zhvilluar paraditen e së mërkurës në prani të kamerave, mazhoranca ra dakord me propozimin e Alibeajt që në tre raundet e para propozimet për kandidatë për President t’i bëjë vetëm opozita. /abcnews.al/