Përmes një deklarate për media ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka akuzuar pushtetin vendor se po përdor të njëjtën skemë si ai qendror duke rritur taksat ndaj qytetarëve dhe bizneseve të vogla, por pa kthyer asnjë qindarkë në investim publik.
“Që prej ditës së parë që hipi në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj i shpalli luftë qytetarëve, biznesit dhe të vërtetës. Që në paketën e parë fiskale, të miratuar në dhjetor 2015 në Këshillin Bashkiak, ai ndërmori hapin represiv dhe diskriminues ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
Si rrjedhojë, sot ata që jetojnë dhe punojnë në Tiranë paguajnë 328 milionë euro taksa shtesë, të cilat nuk janë investuar në punë publike, që nuk i shërbejnë modernizimit të qytetit dhe rritjes së cilësisë së jetës në Tiranë.
Binzeset janë më të prekurit nga rritja e taksave në kryeqytet nën drejtimin e Erion Veliajt. Sot rreth 51 mijë biznese në Tiranë paguajnë taksa 2- 3 herë më shumë se 4 vite më parë.
Në krahasim me vitin 2015, taksat për biznesin e vogël janë mbidyfishuar.
Ne kemi marrë faturat të cilat i kanë shkuar bizneseve të vogla dhe vetë biznesi ka bërë krahasimin 2015-2019.
Më konkretisht, një sipërmarrës që zotëron një market të vogël në zonën e Tiranës, paguan 410 mijë lekë më shumë taksa më vit, që prej ardhjes në krye të bashkisë të Erion Velisë. Kjo vlerë është e barabartë me gati sa dy paga minimale.
Një biznes i mesëm, për shkak të rritjes së taksave nga Veliaj, paguan 540 mijë lekë më shumë për arkën e bashkisë, e cila i heq kështu mundësinë biznesit të mesëm të punësojë një person më të kualifikuar.
Një biznes i madh paguan 1 milion e 70 mijë lekë më shumë taksa në një vit, që kur Bashkia drejtohet nga Erion Veliaj. Këto parà mund të ishin shpenzuar më mirë nga biznesi për të rritur punësimin apo eficencën e sipërmarrjes.
Rritja e taksave nga Bashkia e Veliajt dhe nga qeveria e Ramës është arsyeja se pse sot në Tiranë janë mbyllur mbi 25 mijë biznese, duke e kthyer Tiranën në qytetin më të shtrenjtë, në qytetin me taksat më të larta, në qytetin e pamundësisë.
- Taksa e pronës është rritur nga 2 deri në 4 herë.
- Taksa e pastrimit është dyfishuar për të gjitha kategoritë e bizneseve dhe shkon në projektin korruptiv të inceneratorëve e në tenderat e Fushës nga ana tjetër.
- Taksa e arsimit, një taksë e re e vendosur nga Veliaj, ka çuar në arkën e Bashkisë 20 milionë Euro, por sot shkollat po jepen me PPP, me fitim shumë të lartë, abuziv dhe korruptiv për ndërtuesin e shtëpisë së Erion Veliajt.
Taksat e rritura nga bashkia shkojnë në të njëjtin zë si ai i qeverisë qëndrore: është i njëjti model, është e njëjta skemë, është i njëjti sistem, shpenzohen për fasadën dhe publicitetin personal të kryebashkiakut Veliaj, ndërsa qytetarët po i mbyt betoni i korrupsionit, falimenti, varfëria dhe papunësia”, tha Tabaku.