Në Uashington, ka pasur një përpjekje për të përshpejtuar procesin për miratimin e fondit prej 40 miliardë dollarësh si ndihmë për Ukrainën, sipas skynews.
Dy senatorët, kryedemokrati dhe republikani kryesor në Senat bashkuan forcat në një shfaqje të rrallë uniteti, pasi të dy ranë dakord për nevojën për të dërguar në Kiev paketën e ndihmës, më e madhe në dekada.
Por një senator, republikani Rand Paul nga Kentaki, po vonon këtë proces. Paul, i cili historikisht ka kundërshtuar shpenzimet për ndihmën e huaj, refuzoi të mbështeste propozimin që kishte nevojë për aprovim unanim.
Ai po kërkon ndryshimin e legjislacionit për të kërkuar që një zyrtar të mbikëqyrë shpenzimet për konfliktin.
“Nëse senatori Paul këmbëngul në kërkesat e tij të pamatura, gjithçka që ai do të arrijë është të vonojë ndihmën e nevojshme për Ukrainën,” tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.
Masa dypartiake, e mbështetur nga presidenti Joe Biden, nënvizon vendosmërinë e Amerikës për të përforcuar mbështetjen e saj për forcat e Ukrainës. Legjislacioni është miratuar me shumicë dërrmuese nga Dhoma e Përfaqësuesve (dhoma e ulët e SHBA) dhe ka mbështetje të fortë dypartiake në Senat.
Miratimi përfundimtar nuk është në dyshim.
/abcnews.al


