Disa herë gaz lotsjellës ndaj protestuesve tek Kuvendi

schedule21:40 - 13 Prill, 2019

schedule 21:40 - 13 Prill, 2019

 Turma e protestuesve para Parlamentit, është shpërndarë disa herë radhazi nga policia, e cila ka përdorur gaz lotsjellës. Megjithatë protestuesit vijonin të protestojnë edhe pse vala e madhe e gazit lotsjellës e hedhur ndaj tyre ka bërë që ata të shpërndahen.

Liderët e opozitës, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi, janë aty, bashkë me protestuesit dhe udhëheqin turmën vazhdimisht drejt Parlamentit.

Deri tani raportohet se nga përplasjet polici-protestues, janë plagosur të paktën 5 efektivë, që po vijojnë të marrin ndihmën mjekësore në ambientet spitalore.

Gjithashtu, edhe disa protestues kanë përfunduar në spital, kryesisht për shkak të efektit të gazit lotsjellës.

19: 30 – Zhvendoset protesta tek Kuvendi

Pas fjalës së Bashës dhe tensioneve mes protestuesve dhe policisë, protesta e opozitës së bashkuar është zhvendosur nga Kryeministria tek Parlamenti. Ka qenë ish-deputeti i PD-së Edi Paloka ai i cili u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të ndjekin kryetarin e Partisë Demokratike për tek kryesia e Kuvendit.

Ende nuk dihet skenari i protestës dhe se sa do të vijojë ajo, pasi opozita nuk ka njoftuar për një afat mbylljeje, ndërsa policia ka kërkuar që gjithçka të marrë fund brenda mesnatës./abcnews.al