Paloka: Kur eliminohet demokracia, çdo gjë është legjitime

schedule20:03 - 12 Prill, 2019

schedule 20:03 - 12 Prill, 2019

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, u shpreh i vendosur këtë të premte në emisionin “Mbrëmje ABC” të gazetares Mirela Milori përsa i përket zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Sipas tij, nuk do të ketë zgjedhje me kryeministrin Edi Rama.

I pyetur se nëse ky qëndrim i opozitës çon te përdorimi i forcës, Paloka u shpreh se në momentin kur në vend është eliminuar demokracia, çdo gjë është e ligjshme.

Edi Paloka: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 Qershor. Copë! Edi Rama nuk do të zhvillojë dot zgjedhje në 30 Qershor. Zgjedhje jo të lira dhe jo të ndershme nuk do të ketë më. Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë dhe zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë.

Mirela Milori: Kjo të çon te forca zoti Paloka se gjuha e politikës nuk e përmban një solucion të tillë?

Edi Paloka: E përmban gjuha e demokracisë kur një vend, një qeveri, një regjim shkel Kushtetutën. Ne s’kemi Gjykatë Kushtetuese. Që nga kjo ditë ai që s’kemi Gjykatë Kushtetuese ai s’ka të drejtë të miratojë një ligj. Atëherë jemi në demokraci ne këtu? Atëherë kur ky ka eliminuar demokracinë në këtë vend, çdo gjë është legjitime. E keni dëgjuar atë debatin me ndërkombëtarët. Edhe publikisht. Edhe ndonjëherë me ato bisedat që ne bëjmë direkt me ata e thonë copë, ne në radhë të parë jemi të interesuar për stabilitetin. Demokracia del në dorë të dytë. Nuk mund të jetë kështu. Nuk është kështu në vendet demokratike.

Mirela Milori: Patjetër, por në Amerikë i ka lënë hapësirë Kushtetuta që nëse nuk iu pëlqen qeverisja të rrëmbejnë dhe armët. Ka një nen. Ndërsa këtu po flisni për forcë, këtë dua të qartësoj?

Edi Paloka: Flitet për në Amerikë.

Mirela Milori: Flitet në Amerikë, por aty nuk ka ndodhur deri më tani?

Edi Paloka: Ishalla aty nuk ndodh. Ishalla nuk ndodh as këtu.

Mirela Milori: Këtu është e jashtëligjshme po ndodhi. Nuk keni asnjë interpretim të mundshëm?

Edi Paloka: E jashtëligjshme dhe antikushtetuese është ajo që bën Rama çdo ditë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!