Vdiq brenda qelisë, AMP: Çfarë ndodhi brenda komisariatit në Kavajë, efektivët shpërdoruan detyrën

schedule10:44 - 5 Maj, 2022

schedule 10:44 - 5 Maj, 2022

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka reaguar në lidhje me rastin e 31-vjeçarit Ilvi Meta, i cili dyshohet se kreu vetëvrasje në paraburgimin e Komisariatit të Policisë Kavajë. Në njoftim bëhet e ditur se Drejtoria Rajonale e AMP Durrës-Kavajë ka përfunduar hetimet paraprake nga ku ka rezultuar:

31-vjeçari Meta është gjetur rreth orës 19:00, të datës 4 maj, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë ku ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen.

Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.

Nga hetimet paraprake, njofton AMP,  ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të 31-vjeçarit  gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Procedura Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr.925, datë 19.07.2019 të DPPSH.

Pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marre masa për parandalimin e ngjarjes.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë 3 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal e konkretisht:

  1. Nënkomisar Petrit Brahimaj, 61 vjeç, me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë;
  2. Inspektor Bexhet Berberi, 60 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë;
  3. Inspektor Rushit Kola, 59 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimës thonë se e kanë parë trupin e tij të pajetë dhe nuk kanë konstatuar shenja në qafën e tij. Ata akuzojnë policinë se djali “mund t’u ketë mbetur në dorë.” /abcnews.al/