Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Rusia e ka humbur tashmë luftën në Ukrainë

schedule08:57 - 2 Maj, 2022

schedule 08:57 - 2 Maj, 2022

Nga Robert Kelly “19 Forty Five

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lufta në Ukrainë vazhdon. Në javën e saj të nëntë, ajo është zhvendosur në Donbas, në Ukrainën Lindore. Ne po dëgjojmë më pak raportime nga ky rajon, sesa kemi dëgjuar nga luftimet përreth Kievit disa javë më parë.



Kjo ndoshta sepse lufta është më kinetike dhe më ballore sesa përballjet në stilin e pritave dhe sulmeve rrufe në ditët e para të konfliktit. Dhe duket se ka gjasa që në lindje të ketë më shumë përplasje të mëdha të formacioneve ushtarake. Humbjet në radhët e ushtrisë ukrainase janë më të larta se më parë.

Përderisa pjesa më e madhe e videove të luftës në mediat sociale na vijnë nga ukrainasit, ne po shohim më pak së më parë, pasi lufta është bërë për ta më e vështirë. Terreni në Donbas avantazhon më shumë rusët. Por edhe pse Rusia po shkon drejt arritjes së disa përfitimeve territoriale të kufizuara në lindje, ajo ka humbur aq shumë tashmë në këtë konflikt, saqë kjo mund të konsiderohet një katastrofë për fuqinë kombëtare ruse.

Në të vërtetë, disa analistë mendojnë se Ukraina mund ta fitojë plotësisht luftën. Por edhe nëse Rusia do të arrijë të mbajë të pushtuar një pjesë të lindjes dhe jugut të vendit, këto arritje janë shumë më modeste në krahasim më kostot e mëdha të luftës:

Ukraina do të ketë së shpejti një nga ushtritë më të mira në Evropë

Kjo është ironia më e madhe e këtij pushtimi. Presidenti rus Vladimir Putin priste një Blitzkrieg (një sulm të rrufeshëm). Ai do të hynte me shpejtësi në Kiev, do të zëvendësonte shpejt presidentin ukrainas Volodimir Zelenski me një zyrtar pro-rus, dhe do të largonte trupat e tij nga Ukraina.

Dhe e gjitha kjo do të përfundonte përpara se Perëndimi të kishte kohë për t’’u mobilizuar. Me sa duket Putin besonte në propagandën e tij se Ukraina ishte një komb i rremë. Por në vend të kësaj, ai u përplas me një mur ushtarësh dhe civilësh patriotë ukrainas.

Ata rezistuan mjaftueshëm, për të nxitur Perëndimin ta mbështesë fuqishëm këtë luftë. Tani Rusia përballet me një ushtri të mirë-pajisur, të mirë-stërvitur, të testuar në betejë, të udhëhequr mirë, me një legjitimitet të madh popullor, dhe të mbështetur nga vendet e pasura të Perëndimit. Rusia nuk do të jetë më në gjendje të “shëtisë” lart e poshtë nëpër Ukrainë. Nëse ushtria ruse nuk fiton muajt e ardhshëm, me siguri që do ta humbasë të gjithë luftën.

NATO do të zgjerohet

Zgjerimi i NATO-s ishte një nga faktorët kryesorë për pushtimin e Ukrainës. Kjo nuk është e vërtetë, por mbetet gjithsesi argumenti që përhap propaganda ruse. Por sërish për ironi, edhe këtu Moska ka dështuar. Është e vërtetë që Ukraina ka të ngjarë të heqë dorë nga aspirata e anëtarësimit në NATO, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Por Suedia dhe Finlanda duket se do të aplikojnë, dhe thuajse me siguri do të pranohen në aleancë. Hyrja e Finlandës është një humbje e veçantë, pasi ky vend ndan një kufi të gjatë me Rusinë dhe gjatë gjithë Luftës së Ftohtë ruajti neutralitetin e saj. Fakti që Helsinki po ndryshon qasje pas kaq shumë kohësh, tregon se sa i rrezikshëm është bërë Putin, madje edhe më i rrezikshëm sesa Bashkimi Sovjetik.

Rusia do të jetë e izoluar edhe pas lehtësimit të sanksioneve 

Çdo marrëveshje paqeje, do të rivendosë formalisht marrëdhëniet e Rusisë me botën. Sanksionet do të hiqen. Po ashtu edhe ndalimet e udhëtimit për elitën ruse. Dhe ne e dimë që nga periudha midis 2 luftërave botërore kthesa e Gjermanisë drejt fashizmit, se ndëshkimi i ashpër i një humbësi të luftës, rrezikon që të stimulojë elementët e tij më të këqij dhe revanshistë.

Por vetëm sepse kufizimet formale do të zbuten, kjo nuk do të thotë se do të rikthehen së shpejti marrëdhëniet normale diplomatike dhe ekonomike me Rusinë, derisa të largohet Putin nga pushteti. Bizneset perëndimore do të ngurrojnë të rikthehen në Rusi.

Shumë kompani që janë tërhequr prej andej – Apple, Netflix, Honda, e kështu me radhë – nuk do të kthehen lehtësisht. Dhënia fund e sanksioneve nuk mund t’i detyrojë ato që të rikthehen pas. Po ashtu, as fundi i ndalimeve të udhëtimit, nuk do të thotë se liderët botërorë duhet të takohen me elitën ruse. Sidomos ndërsa po shtohen historitë e krimeve të luftës ruse, Rusia do të jetë jo zyrtarisht e izoluar për vitet në vijim.

Ndjenja e re e qëllimit të NATO-s

Gjatë 3 dekadave të pas Luftës së Ftohtë, NATO ishte një organizatë në kërkim të një misioni. Pas 11 shtatorit, ajo eksperimentoi me operacione “jashtë aleancës”, kryesisht në Afganistan. Por ato nuk ishin asnjëherë popullore, dhe të gjithë ishin të rraskapitur dhe të lumtur që u larguan nga Afganistani vitin e kaluar.

Presidenti francez Makron tha pak kohë më parë se NATO ka pësuar një vdekje celebrale. Ish-presidenti amerikan Donald Trump, donte të largohej nga aleanca. Por pushtimi rus i Ukrainës i ka dhënë fund gjithë këtij diskursi. Tani ka shumë të ngjarë që SHBA-ja të stacionojë më shumë forca në Evropën Lindore.

Gjermania është angazhuar për një ngritje të madhe të buxhetit në mbrojtje. Britania pas Brexit po bashkëpunon sërish me kontinentin. Edhe opinioni publik amerikan është në përkrahje të Ukrainës. Të gjitha këto humbje dhe pengesa peshojnë shumë më tepër sesa çdo gjë që Putin mund të fitojë tani duke pushtuar Donbasin.

Ukraina do të mbijetojë dhe do të bëhet ushtarakisht e aftë t’i rezistojë ngacmimeve të Rusisë. NATO do të rritet dhe do të zgjerohet më tej. Rusia do të zhytet në një izolim të thellë dhe në një varësi të madhe nga Kina. Ky është një rezultat shumë i mirë për atë që duhej të ishte një Blitzkrieg i shpejtë.

Shënim:Dr.Robert E. Kelly, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin Kombëtar Pusan në Korenë e Jugut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!