Sipas ekspertëve të policisë, tragjedia ne Puke, ku si pasojë e zjarrit burrë e grua humben jetën brenda në shtëpi, është shkaktuar nga një shkëndije elektrike në tavan. Ndërsa ekspertiza përfundimtare do përcaktojë dinamikën e ngjarjes në banesën ku jetonte familja Ndoj.
Për 20 minuta zjarri në Breg të Pukës shkrumboi çdo gjë dhe mori dy jetë. Ekspertët kanë përcaktuar dhe shkakun paraprak të flakëve.
Një shkëndijë elektrike tek instalimet në tavanin e katit të dytë të ndërtesës. Kaq ka mjaftuar që i gjithë rrjeti i amortizuar të marrë flakë.
Natën e ngjarjes, në zonë kishte stuhi dhe luhatje të ndjeshme të tensionit. Nga nënçatia flakët kanë shpërthyer në gjithë shtëpinë.
Çifti Petrit e Dava Ndoj tentuan të dilnin nga dhoma, por ekspertët thonë se ata u asfiksuan.
Katër fëmijët përfituan sepse xhamat e dritares së dhomës së tyre ishin thyer. Ata u hodhën sipër disa llamarinave, duke shpëtuar dhe gjyshen e paralizuar.
Gjyshi tyre gjithashtu mundi të dilte nga flakët. Familja Ndoj përcolli për në banesën e fundit burrë e grua te cilët lanë pas katër fëmijë të mitur. Bashkia mori përsipër shpenzimet mortore dhe rindërtimin e banesës./abcnews.al