Reali i Madridit bëri një tjetër paraqitje zhgënjyese duke rrezikuar eleminimin nga Kupa e Mbretit. Trajneri Zidan u shpreh i qetë, por tifozët janë të shqetësuar me formën e skuadrës së tyre të zemrës.
Publiku në “Santiago Bernabeu” nuk po i besonte syve.
Skuadra e tij e zemrës, Reali i madh i Madridit, po luante ndaj Fuenlabradës së kategorisë së tretë në Kupën e Mbretit, dhe po rrezikonte kualifikimin.
Edhe pse formacioni madrilen ishte i përbërë kryesisht nga lojtarë të rinj dhe rezervë, sërish nuk pritej një nivel i tillë, ndaj një kundërshtari shumë modest.
Fuenlabrada iu afrua të papriturës duke kaluar në avantazh në pjesën e parë, dhe duke i dominuar deri përpara pushimit.
Po ashtu, mund të kishte shënuar në pjesën e dytë dhe të kishte barazpeshuar shifrat pas humbjes 0-2 në shtëpi të përballjes së vajtjes.
U desh hedhja në fushë e Garet Bejlit që gjërat të ndryshonin, por jo që Reali ta përmirësonte ndjeshëm imazhin.
Dueli përfundoi 2-2 dhe pati vërshëllima, por trajneri Zinedin Zidan u shpreh optimist pas takimit.
“Unë nuk u shqetësova aspak, – tha ai në mënyrë sfiduese, – gjithçka ishte e parashikuar. Nuk është e lehtë kur në fushë luajnë futbollistë të rinj, kur në formacion ka shumë lojtarë të akademisë, që nuk kanë përvojë. E rëndësishme ishte që të kualifikoheshim dhe që yjet tanë kryesorë të pushonin, dhe ne ia arritëm. Jam i lumtur për këtë, ndërsa po ashtu vlerësoj kundërshtarin që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë”.
Sezoni i Realit nuk ka qenë aspak i shkëlyer, pas sukseseve të mëdha të arritura në maj dhe në gusht, me fitoren e titullit në Spanjë, të Championsit, si dhe të Superkupës së Europës dhe Superkupës së Spanjës.
Madridi është në vend të 4-t në ligën spanjolle, 8 pikë pas Barcelonës kryesuese, ndërsa mbeti në vend të dytë në fazën e grupeve në Champions./abcnews.al