Presidenti Meta apel partive politike nga Durrësi

schedule11:23 - 7 Prill, 2019

schedule 11:23 - 7 Prill, 2019

Presidenti i Republikës i kërkon palëve politikë të heqin dorë nga përdorimi i forcës dhe të dialogojnë për të zgjidhur krizën që po kalon vendi, e cila në këndvështrimin e Ilir Metës tashmë nuk është vetëm politike, por dhe kushtetuese e institucionale.

“Besoj se është detyrë e tyre që të tregojnë vullnet real për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës si dhe të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët. Unë besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit”.

Pas vitit 1997, vendi ka bërë përparime të rëndësishme vuri në dukje Presidenti i Republikës, i cili këshilloi politikanët në mazhorancë dhe opozitë të lenë mënjanë kokëfortësitë e të reflektojnë pasi hapësirat për zgjidhje sipas Metës nuk mungojnë.

“I nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe anti-mitingjeve të panevojshme. Aq më tepër që jemi edhe në prag të sezonit turistik, që dihet se është aq i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por edhe tërë Shqipërinë dhe për ekonominë tonë”.

Presidenti i Republikës i bëri këto deklarata pas homazheve tek busti i Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, në Durrës me rastin e 80-vjetorit të nisjes se rezistencës anti-fashiste kundër pushtimit të Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!