Më 30 Qershor hapet Bypass-i i Fierit

schedule16:20 - 4 Prill, 2019

schedule 16:20 - 4 Prill, 2019

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar nga afër Bypass-in e Fierit dhe bën të ditur se një segment i kësaj rruge do të hapet para nisjes së sezonit turistik. Për përfundimin më kohë të punimeve janë angazhuar 240 punonjës, të cilët vijojnë punimet përgjatë 24 orëve.

Një lajm i mirë për të gjithë në prag të verës. Sezoni turistik drejt jugut këtë vit do të jetë lehtë i kalueshëm pa trafik të rënduar. Lajmin e bën të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ka inspektuar nga afër Bypass-in e Fierit.

“Është e rëndësishme, që ne t’i qëndrojmë premtimit që kemi bërë. Deri në 30 Qershor kjo rrugë të jetë e hapur për mjetet e tonazhit të lehtë, pra që janë autobusët dhe automjetet e vogla. Nuk do jetë e hapur për kamionët dhe në 30 qershor premtimi do të mbahet”, tha Balluku.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, bëri të ditur se punimet janë duke vijuar sipas grafikut të miratuar nga ARRSH dhe se çdo ditë ky institucion monitoron ecurinë e tyre.

“Aktualisht kompania po punon nën grafikun e miratuar nga ARRSH dhe jemi duke monitoruar çdo ditë punimet e kryera nga kontraktori”, tha ajo.

240 punonjës, janë angazhuar nga kompania për përfundimin në kohë të punimeve ndërsa ato vijojnë edhe gjatë natës. Aktualisht po punohet për ndërtimin e tri urave, asaj të Hoxharës, Semanit dhe Pojanit, në dy prej të cilave pritet që brenda muajit Prill të vendosen strukturat metalike./abcnews.al