Sekuestrohen automjete me targa shqiptare në Torino

schedule16:50 - 4 Prill, 2019

schedule 16:50 - 4 Prill, 2019

Policia italiane sekuestroi në Torino 20 automjete me targa të huaja, mes të cilave edhe me targa shqiptare. Sipas ligjit vendas, rezidentët në Itali prej më shumë se 60 ditësh, nuk mund të qarkullojnë me automjet me targa të huaja.

Gjoba për një shumë prej 28 mijë eurosh dhe më shumë se 20 sekuestrime. Është ky rezultati i një seri kontrollesh të kryera nga policia italiane në Torino ndaj automjeteve me targa jo italiane. Operacioni kryhet menjëherë pas hyrjes në fuqi të dekretit “Siguria”, i cili parashikon se kushdo që është rezident në Itali prej më shumë se 60 ditësh, nuk mund të qarkullojë me automjet me targa të huaja.

Pjesa më e madhe e shoferëve të ndaluar ishin me origjinë shqiptare, rumune dhe moldave, të cilët qarkullonin me automjete me targa të shteteve të tyre të lindjes. Mes automjeteve të sekuestruara pjesa më e madhe ishin të llojit Fuoristradë.

Policia ka ndaluar dhe disa sipërmarrës me origjinë shqiptare dhe rumune të cilët qarkullonin me furgonët e tyre që I përdornin për biznes, por me targa jo italiane. Përveç sekuestrimit të automjeteve janë vendosur gjoba që kalojnë shumën e 28 mijë eurove.