Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vuçiç dorëhiqet nga posti i Presidenti të Serbisë, mesazh pasardhësit: Mos hiq dorë nga Kosova

schedule21:13 - 27 Shtator, 2026

schedule 21:13 - 27 Shtator, 2026

Aleksandër Vuçiç ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë, duke i dhënë fund para kohe mandatit të tij në krye të shtetit. Në fjalimin e largimit ai foli sfidat që e presin Serbinë dhe çështjen e Kosovës.

Vuçiç konfirmoi dorëheqjen gjatë një adresimi publik të dielën në mbrëmje, pasi prej ditësh kishte paralajmëruar largimin nga posti. Ai falënderoi qytetarët serbë për besimin që i kishin dhënë gjatë dy mandateve presidenciale.

“Jam mirënjohës ndaj qytetarëve që më kanë treguar besimin dy herë. Sot është dita kur paraqes dorëheqjen time”, deklaroi Vuçiç.



Gjatë fjalimit, Vuçiç bëri edhe një bilanc të periudhës së tij në pushtet, duke u ndalur te ekonomia, punësimi, borxhi publik dhe infrastruktura. Vuçiç foli edhe për prioritetet që, sipas tij, duhet të ndjekë udhëheqja e ardhshme e Serbisë, duke përmendur zhvillimin ekonomik, investimet në arsim dhe teknologjitë e reja.

Ai nuk la pa përmendur Kosovën, duke thënë se presidenti i ardhshëm duhet të mbrojë interesat kombëtare të Serbisë dhe serbët në Kosovë.

“Të gjithë do të duhet t’i rezistojnë heqjes dorë nga Kosova. Do të duhet të merremi me zhvillimin ekonomik, mbi të gjitha me inteligjencën artificiale dhe robotikën, në mënyrë që të mos mbetemi prapa”, deklaroi Vuçiç.

Dorëheqja vjen përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Vuçiç kishte njoftuar më herët se pas largimit nga presidenca do të vazhdonte angazhimin politik dhe do të merrte pjesë në fushatën zgjedhore.

Vuçiç e mori detyrën e presidentit të Serbisë në vitin 2017 dhe u rizgjodh në vitin 2022. Mandati i tij i dytë duhej të përfundonte në vitin 2027, por dorëheqja e ndërpret atë para afatit.

Pas largimit të tij aktivizohet procedura ligjore për zëvendësimin e kreut të shtetit. Sipas ligjit serb, presidentin e zëvendëson përkohësisht kryetari i Asamblesë Kombëtare, post që aktualisht mbahet nga Ana Brnabiç. Ajo mund ta ushtrojë funksionin e presidentit për një periudhë maksimale prej tre muajsh.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme presidenciale duhet të organizohen në mënyrë që votimi të mbahet jo më vonë se tre muaj nga përfundimi i parakohshëm i mandatit. Nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë të paktën 30 dhe jo më shumë se 60 ditë.

Dorëheqja e Vuçiçit hap kështu një fazë të re politike në Serbi, e cila përballet fillimisht me zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe më pas me procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!