Italia është përfshirë nga stuhi të fuqishme dhe reshje të dendura shiu, ndërsa autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për motin e keq në 12 rajone të vendit.
Reshjet intensive kanë sjellë përmbytje të rrugëve dhe vështirësi në qarkullim, ndërsa në disa qytete uji ka pushtuar rrugët dhe zonat e ulëta. Ekipet e emergjencave janë vënë në gatishmëri për t’u përballur me situatat e krijuara nga moti i rënduar.
Një sistem atmosferik nga Atlantiku, që po lëviz përmes Evropës Qendrore, solli reshje intensive dhe stuhi të forta në veri dhe në qendër të Italisë, ndërsa sinoptikanët parashikojnë përkeqësim të mëtejshëm të motit.
Departamenti i Mbrojtjes Civile ka vendosur në fuqi alarmin e verdhë për pjesë të Abruzzos, Bazilikatës, Lazios, Kampanias, Lombardisë, Marche-s, Molises, Puglias, Sardenjës, Siçilisë, Umbrias dhe Toskanës.
Situata është paraqitur problematike edhe në Firence, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar grumbullim të madh uji në rrugë dhe kanë vështirësuar lëvizjen. Mediat lokale i kanë përshkruar reshjet si një “bombë uji”.
Ndërkohë, alarmi portokalli ishte në fuqi në pjesë të mëdha të Ligurias dhe në zona të Emilia-Romagnës, ndërsa disa rajone të tjera vijuan të ishin nën alarm të verdhë për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.

