Maqedoni, Gjykata Penale kërkon heqjen e imunitetit për deputetët e arrestuar

schedule21:57 - 28 Nëntor, 2017

schedule 21:57 - 28 Nëntor, 2017

Gjykata Penale e Shkupit ka kërkuar heqjen e imunitetit për deputetët e arrestuar të VMRO-DPMNE-së. Për arrestimet, lidhur me dhunën në kuvendin e Maqedonisë të datës 27 prill, presidenti Ivanov tha se është i shqetësuar, për hakmarrjen politike që po ndodh. Ndërsa VMRO-DPMNE protestoi para Gjykatës Penale.

Gjykata Penale e Maqedonisë ka kërkuar heqjen e imuniteti për 6 deputetë të VMRO-DPMNE-së. Disa prej tyre janë të dyshuarit kryesor në aktakuzë se mbrëmjen e 27 prillit, kur u dhunuan shumë deputetë, kishin hapur dyert e Kuvendit për të mundësuar hyrjen e protestuesve dhe huliganëve. Përveç deputetëve, janë ndaluar edhe Ish-ministri i Brendshëm maqedonas si dhe njëkohësisht drejtor i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov, mjekë, aktorë dhe ish zyrtarë të tjerë të VMRO-DPMNE-së. Mediat shqiptare të maqedonisë shkruajnë se prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për 36 persona për veprën “terrorizëm dhe cënim të rendit kushtetues”.

Kërkesat për heqjen e imunitetit për 6 deputetët do të shqyrtohen nga kryeparlamentari Talat Xhaferi të mërkurën pasi të kthehet nga udhëtimi zyrtar jashtë vendit. Mësohet se për këtë çështje janë informuar edhe anëtarët e komisionit parlamentar për imunitet dhe çështje të rregullores. Ky komision ka lajmëruar se të mërkurën do të ketë seancë. Për të miratuar heqjen e imunitetit duhen 61 vota të deputetëve.

Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Kreu i Shtetit duke theksuar mbështetjen e tij për protestuesit e dhunshëm të 27 prillit, nënvizoi se këta njerëz nuk mund të trajtohen si organizatë terroriste.

Gjorge Ivanov, President i Maqedonisë: “Jam i shqetësuar për hakmarrjen politike e cila është e dukshme në më shumë nivele, që nga administrata publike deri tek rastet gjyqësore dhe policore. Me këtë po mbjellet frikë dhe pasiguri, që çon në një gjendje tensioni dhe destabilizim politik”.

Ai u bëri thirrje organeve kompetente që të veprojnë me mençuri dhe përgjëgjësi dhe të respektojnë Kushtetutën dhe Ligjet e vendit.
Nga ana tjetër mbështetësit e VMRO-DPMNE-së kanë protestuar kundër arrestimit të 36 personave që akuzohen lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvend mbrëmjen e 27 prillit. Mijëra qytetarë manifestuan pranë Gjykatës Penale në Shkup. Në protestë nuk munguan dhe thirrjet për gjakderdhje. Ndërsa kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, e cilësoi valën e arrestimeve si një sulm i hapur kundër partisë së tij nga Lidhja Social Demokrate./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!