Janë publikuar katër video të reja nga operacioni që çoi në arrestimin e tretë dhe të fundit të një prej trafikantëve më të famshëm të drogës në botë, Joaquín “El Chapo” Guzmán. Pamjet, të publikuara rreth dhjetë vjet pas arrestimit, dokumentojnë momentet e arratisjes, ndalimit dhe qëndrimit të Guzmánit në një dhomë moteli, pak para se ai t’u dorëzohej forcave federale meksikane.
Operacioni, i koduar “Mjeku i Zi”, nisi në orët e para të 8 janarit 2016 në Sinaloa. El Chapo dhe krahu i tij i djathtë, Orso Iván Gastélum, arritën fillimisht t’u shpëtonin forcave ushtarake përmes rrjetit të kanalizimeve. Dy të arratisurit dolën më pas në sipërfaqe në qytetin Los Mochis. Të veshur vetëm me të brendshme, ata vodhën fillimisht një Volkswagen Jetta dhe më pas një Ford Focus të kuq. Por pronari i automjetit kishte ende telefonin e tij dhe njoftoi policinë.
Pak më vonë, forcat federale lokalizuan makinën dhe e ndaluan. Në pamjet e reja, Gastélum shihet duke u përpjekur të negociojë me policët, duke u treguar se në automjet ndodhej “Shefi”. Ndërkohë, El Chapo u ofron efektivëve pasuri, biznese dhe shuma të mëdha parash në këmbim të lirisë.
Situata u tensionua edhe më tej kur policët mësuan se rreth 30 automjete me persona të armatosur po lëviznin drejt zonës. Nga frika e një ndërhyrjeje të armatosur, efektivët u strehuan përkohësisht në një dhomë moteli, duke marrë me vete edhe Guzmánin. Për rreth 20 minuta, ai vazhdoi t’u premtonte shpërblime të mëdha nëse do ta ndihmonin të arratisej.
Por ofertat u refuzuan. Policët e mbajtën nën kontroll deri në mbërritjen e forcave të Marinës dhe Ushtrisë meksikane. Në një prej pamjeve, El Chapo shihet me rrobat e mbuluara me baltë, ndërsa lan fytyrën dhe flokët në dhomën e motelit. Pak orë më vonë, operacioni do të përfundonte me arrestimin e tij.
Joaquín Guzmán, tashmë 69 vjeç, po vuan një dënim të përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado. Ai u dënua në vitin 2019 për trafik droge, pastrim parash dhe vepra të tjera penale./abcnews.al


