Grabitet një person në Tiranë

schedule09:36 - 29 Mars, 2019

schedule 09:36 - 29 Mars, 2019

Një grabitje u shënua mëngjesin e së premtes në kryeqytet, ku dy persona i morën me dhunë 60 mijë dollarë Agron Shimës. 50-vjeçari po lëvizte me motor në rrugën e “Barrikadave”, teksa dy persona e kanë ndjekur, duke e goditur me levë dhe thikë në trup.

Pronari i një pike të këmbimit valutor u sulmua në rrugën e “Barrikadave” në kohën kur po dërgonte paratë në një filial banke të nivelit të dytë. Rreth orës 9 të mëngjesit Agron Shima, po lëvizte me motor kur iu bë pritë nga dy persona me doreza dhe kokore, të cilët udhëtonin gjithashtu me motor pa targa. Kjo është leva dhe thika me të cilën u qëllua 50-vjeçari Shima. Burime nga grupi hetimor pohojnë se pronarit të këmbimit valutor iu grabitën afërisht 60 mijë dollarë. Por dy grabitësit nuk ishin në dijeni se 50 metra larg vendit të krimit, ndodhej një patrullë policie.

Pikërisht në zonën e “9-katësheve”, efektivi i policisë rrugore ndoqi dy grabitësit, ku arriti të godasë me automjetin e tij motorin dhe të prangos njërin prej dy agresorëve që kreu vjedhjen me dhunë.  Ky është çasti i ndalimit të grabitësit. Miku i tij i identifikuar tashmë nga policia mori çantën me para që ndodhej në motorin e Shimës dhe arriti të largohej në vrap përmes rrugicave nga ana e pasme e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në zonën ku ndodhi ngjarja u sekuestruan shumë kamera të sigurie. Grupi hetimor dyshon se grabitësit mund të jetë ndihmuar nga njerëz të afërm të Agron Shimës, të cilët mund të kenë pasur dijeni për lëvizjet e tij si edhe për paratë që kishte me vetë në motor. Pronari i këmbimit valutor u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa mjekët pohojnë se gjendja e tij është e stabilizuar./abcnews.al