Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Krimet e luftës në Ukrainë, marrëdhëniet BE-Rusi nuk do të jenë kurrë si më parë

schedule10:23 - 6 Prill, 2022

schedule 10:23 - 6 Prill, 2022

Nga Mathieu Von Rohr “Der Spiegel

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ky është shansi i fundit për ata në Gjermani të cilët vazhdojnë të besojnë se kjo luftë është vetëm një bezdi e përkohshme – pas së cilës mund të rikthehemi në statuskuonë e dikurshme – të zgjohen më në fund nga iluzionet.



Disa nga njerëzit që mbështesin ide të tilla punojnë në media, të tjerë janë profesorë universitetesh ose janë politikanë në parlament. Madje të tillë mund të ketë edhe në kabinetin qeveritar. Në fakt disa prej tyre shpresojnë që Ukraina të humbasë sa më shpejt që të jetë e mundur, ose akoma më mirë që vendi të dorëzohet, në mënyrë që gjithçka të kthehet si më parë.

Por nuk do të ketë më një rikthim në statuskuonë që ekzistonte para luftës. Jo për Rusinë, jo për Evropën, dhe sigurisht jo për Ukrainën. Kjo duhet të jetë më se e qartë pas imazheve dramatike nga Bucha. Në periferitë veriore të Kievit, një numër i madh civilësh janë qëlluar pa dallim në rrugë nga trupat ruse.

Disa prej tyre mbanin ende në duart produkte ushqimore të cilat i kishin vendosur në biçikletat e tyre. Të tjerë janë ekzekutuar me duar të lidhura nga pas. Në periferinë e kryeqytetit janë zbuluar varreza masive.

Këto janë krime lufte me përmasa të llahtarshme. Akte barbarie që u panë së fundmi në Evropë gjatë luftërave ballkanike. Akte barbarie që nuk duhej të ndodhnin më kurrë në Evropë. Tani ushtarët rusë po i kryejnë ato në Ukrainë para syve tanë, edhe pse regjimi rus përpiqet si gjithmonë që t’i mohojë ato.

Lufta që ka nisur Vladimir Putin, dhe që mbështetet kryesisht nga populli i tij, është një luftë shfarosëse kundër Ukrainës: kundër Ukrainës si shtet, si komb dhe si identitet. Ukraina nuk duhet të lejohet të jetojë, s’duhet lejuar të ekzistojë, sepse në botëkuptimin paranojak të Putinit, vetë ekzistenca e saj kërcënon ekzistencën e Rusisë.

Krimet në Bucha janë prova e kuptimit të vërtetë të pushtimit rus: ushtarët e Putinit kanë pushtuar jo vetëm një vend sovran, ata nuk po bombardojnë vetëm lagjet civile, por po ekzekutojnë civilë në rrugë. Dhe mizori të tilla nuk kufizohen vetëm në periferitë veriore të Kievit.

Një raport i “Human Rights Watch” liston krimet brutale të luftës nga ushtria ruse në mbarë Ukrainën, duke përfshirë raporte rrëqethëse të rasteve të shumta të dhunës seksuale, përfshirë përdhunimin e grave nga ushtarët rusë. Po ashtu flitet për plaçkitje masive të shtëpive nga ushtarët, të cilët mallin e vjedhur e çojnë në Rusi.

Raportet fillestare u fokusuan në dërgimin e ushtarëve të Putinit në luftë pa asnjë paralajmërim, dhe të keq-pajisur. Por rezulton se shumë prej tyre u bënë shumë shpejt

autorë të krimeve të tmerrshme. Nuk ka mënyrë tjetër për ta thënë: Ushtria e Vladimir Putinit është një bandë hajdutësh, përdhunuesish dhe vrasësish të pajisur me armë të rënda.

Duhet të jetë e qartë për të gjithë: Ajo që u zbulua në Bucha mund të ketë ndodhur, ose ndoshta do të ndodhë edhe në vende të tjera. Ne duhet të presim për lajme po aq të tmerrshme nga Chernihiv, Izyum, Mariupol dhe Donbas.

Sepse ajo që Vladimir Putinit i pëlqen ta quajë “operacion special”, është në fakt një fushatë e tmerrshme që po i sjell vdekje dhe shkatërrim një vendi deri dje paqësor, dhe popullit të tij, shumica dërrmuese e të cilëve ëndërronin një të ardhme evropiane.

Për këto arsye nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë kthim në statuskuonë e mëparshme. As për Rusinë, dhe as për Evropën. Kjo luftë ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme disa gjëra në kontinentin tonë: Më në fund është bërë e qartë, se paqja në Evropë mund të ekzistojë vetëm nëse mbrohemi kundër Rusisë.

Fakti që Rusia është një aktore gjeopolitike shkatërruese dhe jo një partnere konstruktive, nuk është diçka e re. Kjo gjë ka qenë e qartë të paktën që nga viti 2014. Që nga aneksimi i Krimesë, dhe rrëzimi i avioni MH17 të Malaysian Airlines me qindra pasagjerë civilë, dhe lufta në Donbas e nisur nga Putini, duhet të ishte e qartë se me këtë Rusi nuk mund të ketë më “biznes si zakonisht”.

Por politikanët në pushtet në Evropë dhe Gjermani, u përpoqën ende që t’i bënin që të dyja: nga njëra anë e ndëshkuan Putinin me sanksione, por në të njëjtën kohë vazhduan të bënin biznes si zakonisht me të. Kjo vlen sidomos për qeverinë gjermane, e cila vazhdoi të mbështesë ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2” edhe pas vitit 2014, dhe më pas lejoi

që objektet e magazinimit të gazit në Gjermani t’i shiteshin kompanisë ruse “Gazprom”.

Pavarësisht nga fakti se ajo që po ndodh në Ukrainë tani është e padiskutueshme, në Gjermani po dëgjojmë edhe një herë jo pak deklarata cinike. Tronditja fillestare dhe vetëdija se çfarë do të thotë lufta e Putinit në Evropë, po i hap rrugën, ashtu si në vitin 2014, mohimit të realitetit dhe dëshirës për t’i ulur tonet ndaj Moskës.

Madje, disa po shkojnë aq larg sa të thonë se thirrjet urgjente për ta kundërshtuar me çdo mjet luftën e Putinit, janë thjesht një moralizëm. Është për t’u habitur që terma si “moral” ose “vlera” janë shndërruar për disa në fjalë të pista. Por është rendi botëror i bazuar në vlera dhe rregulla, dhe për të cilin ra dakord bashkësia globale pas vitit 1945, ai që e bëri të mundur jetën tonë në paqe dhe liri.

Ky rend është sot në pikëpyetje, por ia vlen të mbrohet. Ukraina nuk ka të bëjë me moralin si qëllim në vetvete. Çështja është nëse duam ta tolerojmë apo jo një luftë tjetër në Evropë. Pra nëse do të lejojmë rikthimin e vrasjeve dhe përdhunimeve. Dhe kjo nuk është diçka e largët. Përkundrazi, na kërcënon drejtpërdrejt.

Nëse Putini mund të bëjë luftë kundër Ukrainës, atëherë ai mund të bëjë të njëjtën gjë kundër shteteve baltike, Moldavisë apo Polonisë. Atëherë, lufta do të jetë edhe më afër nesh në Gjermani. Ne duhet ta ndalim luftën kriminale të Putinit, pasi ajo përbën një kërcënim për jetën tonë të lirë dhe sovrane në Evropë.

Edhe para se të niste kjo luftë, Putin e kishte shpallur synimin e tij për të ushtruar ndikim mbi vende të tjera në Evropën Lindore. Ai dëshiron të shkatërrojë Evropën e begatë dhe paqësore që u shfaq pas vitit 1989. Putin është një luftënxitës, kundër të cilit ne duhet të mbrojmë jetët dhe liritë tona. Kjo është në interesin tonë jetik.

Kjo është arsyeja pse ne, si evropianë, duhet ta vendosim edhe një herë veten në një pozicion, nga ku mund të mbrohemi ushtarakisht kundër kësaj fuqie agresive. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që ushtria gjermane, Bundeswehr, është reformuar dhe pajisur deri në atë pikë sa mund të funksionojë edhe si ushtri.

Por në një periudhë afatshkurtër, mund të ketë vetëm një përgjigje ndaj krimeve të luftës në Bucha dhe pjesë të tjera të Ukrainës: Ne duhet ta furnizojmë Ukrainën me të gjitha armët që ajo mund të përdorë, sidomos me armë të rënda, dhe ta bëjmë këtë sa më shpejt. Sepse Ukraina nuk po mbron vetëm veten, por po na mbron edhe ne dhe gjithë Evropën. Dhe po paguan një kosto të lartë për këtë.

Nëse trupat e Putinit dështojnë në Ukrainë, kjo do të jetë gjithashtu një goditje për imperializmin e tij. Rusia nuk mund të lejohet ta fitojë këtë luftë. Nëse Putin humbet, ai do të dobësohet për momentin. Nëse ai fiton, forcohet edhe mendësia e tij imperialiste.

Marrë me shkurtime

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!