Policia është vënë në lëvizje për identifikimin e viktimës që i përkasin eshtrat e gjetura dy ditë më parë në vendin e quajtur “Fushë Kuqe” të Kurbinit. Burime të ABC bëjnë me dije se e vetmja mënyra për të zbuluar identitetin e viktimës është kryerja e testit të ADN-së te familjarët e personave që janë shpallur të zhdukur në zonën përreth.
Në zonë janë disa të zhdukur, por nisur edhe nga madhësia e eshtrave, policia pritet të nisë verifikimet nga familjarët e një adoleshenti nga Mamurrasi të zhdukur shtatë vite më parë.
Burimet bëjnë me dije se policia dyshon që eshtrat t’i përkasin 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, të zhdukur disa vite më parë në këtë zonë. Të parët që do t’u merren mostrat e AND-së janë pikërisht familjarët e Gjonajt për të vërtetuar nëse eshtrat i përkasin adoleshentit, të cilit nuk iu gjet asnjë gjurmë që prej majit të vitit 2015, kur ishte nisur për në shkollë në Mamurras.
Së fundmi xhaxhai i të zhdukurit, Fran Gjonaj, ka rrëfyer se lajmin e kishte marrë vesh nga mediat. Ai thotë se ka dyshime që edhe mund të jenë eshtrat e djalit të familjes, pasi edhe zona ku ai është zhdukur përkon me atë ku u zhduk 16-vjeçari.
“Dje ka dal një lajm në TV. Ka dal fotografia e djalit tonë. Unë jam xhaxahi se babanë nuk e ka se është vrarë në 2005. Dje dolën mediat duke thënë se dyshohet se është kufoma e dalit tonë. Për më shumë këtë e përcakton mjeku mjekoligjor dhe me e përputh me ADN, E kanë në dosje ADN dhe nëna e djali e ka dhënë ADN. Nuk kemi më nevojë por e kemi dhënë një ADN.”
“Mendoj që kanë bërë hetime në atë kohë. Por tani jemi në këtë ditë që jemi sot. I bëj apel shtetit tonë. I bëjmë apel nëse e ka ndarë mendjen për të shkuar në fund do themi që paska shtet dhe nuk ka vdekur shteti. Ne e provojmë në hallin tonë. E duam një përgjigje. Po presim prej shtetit. Ishalla del në dritë ngjarja. Ishalla del e vërteta le të bëhet transparente. Të dalin të thonë janë apo jo të tij. Nuk e vulosim dot, vetëm mjekësia. Ne duam ta çojmë tek i ati nëse është ta dimë ta mbledhim mendjen.”
“Nëse është i joni e pranojmë si të jetë. Se shkojmë ndezim një qiri edhe atje. Dyshime janë shumë se në atë zonë bëhet fjalë se është zhdukur djali jonë. S’kemi ca të themi më. Na kanë rënë shumë gjëra. Të nxjerrin të vërtetën. Të mendojnë si për fëmijën e vet” tha ai. /abcnews.al/