Pamjet me dron tregojnë tre makina duke ecur me shpejtësi përgjatë një rruge kryesore të zbrazët jashtë kryeqytetit ukrainas Kiev, kur papritur kthehen pas me shpejtësi, të gjitha përveç njërës.
Kjo makinë e bardhë kthehet, por më pas ndalon. Një burrë del jashtë dhe ngre duart. Pastaj trupi i tij bie në tokë. Pak çaste më vonë, ushtarët rusë afrohen. Një grua e moshuar dhe një fëmijë lënë makinën dhe një ushtar i largon ata, raporton BBC.
Viktima në tokë ishte Maksim Iovenko. 31-vjeçari u qëllua për vdekje nga forcat ruse që ishin pozicionuar buzë rrugës. Edhe gruaja e tij Ksenia, e cila ndodhej në makinë u vra gjithashtu.
Djali i tyre gjashtëvjeçar dhe shoqja e moshuar e familjes që ishin me ta kanë shpëtuar, ndonëse ajo ka mbetur e plagosur dhe ndodhet në spital. (Të dyja familjet na kërkuan të mos i përmendim.)
“Derisa pashë videon, kisha ende pak shpresë,” i thotë babai i Maksim Sergiy Iovenko për BBC në Kiev, ku ai jeton. “Unë shpresoja se ai ishte gjallë.”
Incidenti ndodhi më 7 mars, kur Maksim dhe familja e tij iu bashkuan një kolone prej rreth 10 makinash civilësh që përpiqeshin të arrinin në Kiev nga periferia perëndimore e qytetit, që ishte kthyer në një zonë konflikti. Ai u filmua nga një grup i mbrojtjes territoriale ukrainase duke bërë zbulim ajror dhe u shpërnda.
Kur një mik i Maksimit, i cili ishte pjesë e autokolonës, i telefonoi Sergiy-t për t’i treguar lajmin, Sergiy thotë se ai menjëherë e kuptoi se diçka nuk shkonte. Kur e mori telefonin ra heshtja dhe më në fund miku i tha: “Qëndroni fort, iku djali dhe nusja”.
Maksim jetonte në Kiev dhe punonte për një agjenci udhëtimesh. Sergiy e përshkruan djalin e tij si një burrë familjar me një zemër të mirë që i pëlqente të këndonte karaoke. Por hobi i tij më i madh ishte familja, thotë ai. Ai e donte shumë djalin e tij dhe ky ishte pasioni i tij”.
/abcnews.al


